Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Uniformat shkollore po i pengojnë vajzat të jenë aktive sa djemtë

QIKA 11.6.2021

Vajzat në shkolla fillore janë ankuar prej kohësh se uniformat e tyre shkollore i pengojnë ato të lëvizin lirshëm dhe se ky problem ka krijuar një tjetër hendek gjinor si pjesëmarrja e pabarabartë në aktivitete fizike.

Një studim i publikuar së fundmi nga University of Newcastle ka treguar se vetëm 52% e vajzave në shkollën fillore i plotësojnë rekomandimet për pjesëmarrjet në aktivitetet fizike gjatë një dite, krahasuar me 70% të djemve.

Emma Kearney, një lojtare e AFLW-së (liga e futbollit për vajza) tha për Girls Uniform Agenda se kur ajo ishte në shkollën fillore ishte e dhimbshme të luash futboll dhe krikët kur kishe të veshur fustan.

Pavarësisht nga numri në rritje i shkollave publike që po ndryshojnë rregulloret e tyre për uniforma në atë mënyrë që të jenë neutrale gjinore, disa shkolla private vazhdojnë t’u kërkojnë vajzave të veshin funde dhe çorape që janë mjaft kufizuese dhe në anën tjetër djemve të mbajnë kravata e këmisha.

Në vitin 2019, Queensland ndoqi disa shtete të tjera duke e bërë të detyrueshme lejimin e vajzave të vishnin pantallona në shkollat e tyre shtetërore. Uellsi i Ri Jugor, Victoria dhe Australia Perëndimore kishin ndryshuar më parë ligjet për këtë çështje.

Në po këtë vit, Aktivistja Rinore e Planit Ndërkombëtar të Australisë, Milly Grestle kishte shkruar një artikull për Women’s Agenda, duke pretenduar se ne mund të luftojmë rolet tipike gjinore duke futur uniforma gjinore neutrale për të gjithë.

Alex Lee, një student i ANU tha se veshjet e detyrueshme për nxënësit sipas gjinisë së tyre dërgojnë mesazhe që janë të dëmshme për vajzat.

“Kur u themi vajzave të veshin funde në vend të pantallonave, ne u themi atyre: ‘të ulen më shumë sesa të luajnë; të shikojnë më shumë sesa të marrin pjesë; të përqendrohen më shumë në mënyrën se si duken trupat e tyre sesa në atë që mund të bëjnë ”, tha Lee.