Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Universitetet japoneze qëllimisht kanë rrëzuar gratë aplikante në provimin e mjekësisë

QIKA 22.2.2022

Për herë të parë gratë japoneze që aplikojnë në provimin pranues në mjekësi kanë pasur rezultat më të lartë se burrat. Universitetet kanë pranuar se qëllimisht i kanë rrëzuar gratë japoneze më parë nga provimet për të rritur numrin e mjekëve burra.

Sipas të dhënave të reja të qeverisë, 13.6% e grave kandidate kaluan provimet në 81 shkolla të mjekësisë pranverën e kaluar krahasuar me 13.51% të burrave. Ky rezultat është i pari i këtij lloji që nga viti 2013.

Megjithatë, përqindja e grave mjeke në Japoni është dukshëm më e ulët se në ekonomitë e tjera të zhvilluara. Një studim i vitit 2018 nga Ministria e Shëndetësisë zbuloi se vetëm 21.9% e mjekëve ishin gra, duke shënuar përqindjen më të ulët midis vendeve që i përkasin Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, në të cilën mesatarja ishte 46% në 2015, raporton The Guardian.

Akademia japoneze është akuzuar për seksizëm institucional dhe manipulim të rezultateve me bazë gjinore. Dhjetë nga shkollat më prestigjioze të vendit pranuan se kishin diskriminuar në mënyrë sistematike gratë për të siguruar që një numër i mjaftueshëm burrash të pranoheshin.

Në vitin 2021, gjashtë shkolla mjekësore që kishin diskriminuar gratë aplikante kishin norma më të larta të pranimit për gratë sesa për burrat. Një zyrtar i Ministrisë së Arsimit tha se të dhënat vërtetonin se gratë nuk ishin më në disavantazh kur aplikonin për vende në fakultetet mjekësore.