Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ushtarët po i dhunojnë gratë sudaneze në këmbim të ushqimit

QIKA 4.9.2024

Ushtarët po i detyrojnë gratë e qytetit sudanez të shkatërruar nga lufta, Omdurman, që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të ushqimit. Shumë gra kanë pohuar se kjo ishte mënyra e vetme për të pasur qasje në ushqim ose mallra të tjera të cilat ato i shesin për të mbajtur familjet e tyre.

Gratë thanë se shumica e dhunimeve ndodhin në ‘zonën e fabrikave’, ku ka më së shumti ushqim në qytet. Njëra nga të mbijetuarat e dhunimit, i tha The Guardian se nuk kishte zgjidhje tjetër për të marrë ushqim për prindërit e saj të moshuar dhe vajzën 18 vjeçare. “Të dy prindërit e mi janë shumë të moshuar dhe të sëmurë dhe nuk e kam lënë kurrë vajzën time të dalë për të kërkuar ushqim,” tha ajo, teksa tregoi se që nga shpërthimi i luftës civile në Sudan ishte dhunuar dy herë – njëherë në një fabrikë të përpunimit të mishit në maj të vitit të kaluar dhe njëherë në një depo të fasuleve.

Disa gra për The Guardian pohuan se ushtarët poashtu kërkojnë favore seksuale në këmbim të qasjes nëpër shtëpitë e braktisura ku mund të merren sende që më pas të shiten në tregjet lokale. Një grua që ishte dhunuar tregoi se më pas ishte lejuar që të ushqim, pajisje kuzhine dhe parfume nga shtëpitë e braktisura. “Ajo që kam kaluar është e papërshkrueshme, nuk do t’ia dëshiroja një armiku…E bëra vetëm sepse doja të ushqeja fëmijët e mi”, tha ajo.

Raportimet për dhunë seksuale të armatosur ka pasur që nga fillimi i konflikti, dhe rrëfime të shumta për ushtarët që ushtronin dhunë seksuale në mënyrë sistematike janë dokumentuar në zonat e Khartoum dhe në Darfur.

Këto rrëfime i kanë konfirmuar edhe banorët e Omdurman dhe disa ushtarë. Një ushtar i tregoi The Guardian se megjithëse ai kurrë nuk kishte përfituar personalisht nga gratë, ai kishte parë kolegët e tij duke e bërë këtë. Ai përshkroi një rast ku një grua dhunohej nga ushtarët, të cilët nga ana tjetër i lejuan motrat e saj të plaçkisnin shtëpitë.

Një zëdhënës i forcave të armatosura sudaneze i hodhi poshtë pretendimet dhe i përshkroi ato si informacione të rreme dhe mashtruese.