Regjimi ushtarak i Mianmarit po e zgjeron ndalimin e shpërndarjes së produkteve menstruale, duke pretenduar se ato po përdoren për të trajtuar luftëtarët e plagosur të rezistencës.
Vendi i Azisë Juglindore është përfshirë në luftë civile që nga viti 2021, kur ushtria uzurpoi qeverinë demokratike dhe nisi një goditje të dhunshme ndaj disidentëve. Zjarri i artilerisë, djegia e vendbanimeve dhe arrestimet arbitrare janë bërë të zakonshme në vitet që pasuan, raporton the Guardian.
Aktivistët besojnë se këto kufizime janë pjesë e strategjisë më të gjerë ushtarake që synon të ndërpresë furnizimin me ushqim, ilaçe, para dhe mjete për grupet opozitare.
Ndalimi është zgjeruar këtë vit dhe ka të ngjarë të jetë më i përhapur nga sa mendohej për shkak të tabusë rreth diskutimit të menstruacioneve, tha Thinzar Shunlei Yi, drejtore në Sisters2Sisters, një kolektiv për të drejtat e grave. Menstruacionet mbeten thellësisht të stigmatizuara në Mianmar, ku shpesh trajtohen si diçka e turpshme. Për shkak të kësaj tabuje, shumë njerëz shmangin të flasin për mungesën e produkteve ose të kërkojnë ndihmë.
“Një pecetë higjienike nuk mund të përdoret për të trajtuar plagët nga armët e zjarrit apo edhe prerjet, ajo nuk do të qëndronte në vend, nuk do të thithte mjaftueshëm gjak dhe nuk do ta mbante zonën e pastër,” tha Meredith Bunn, themeluese e organizatës bamirëse të ndihmës mjekësore Skills for Humanity.
Henriette Ceyrac, e cila themeloi në Mianmar një organizatë për edukimin mbi menstruacionet, Pan Ka Lay, tha se gratë po detyrohen të përdorin alternativa të pasigurta si materiale të vjetra, gjethe apo gazeta, gjë që i ekspozon ndaj sëmundjeve.
“Kjo mund të shkaktojë infeksione të traktit urinar (UTI), infeksione të traktit riprodhues, apo thjesht shumë parehati dhe dhimbje”, tha ajo.
Në një vend ku sistemi shëndetësor është shembur, kujdesi mjekësor është i vështirë për t’u gjetur, Thinzar Shunlei Yi tha se Sisters2Sisters merr rregullisht kërkesa për antibiotikë për të trajtuar infeksionet urinare. Gratë janë në siklet, të shqetësuara dhe ndonjëherë zgjedhin të qëndrojnë brenda gjatë ciklit menstrual në vend që të marrin pjesë në “aktivitete politike”.
Bunn beson se kjo është një taktikë ushtarake për të shënjestruar luftëtaret gra, për të kontrolluar civilët dhe për të viktimizuar ata që ndodhen në kampet e zhvendosjes. Më shumë se 3.5 milionë njerëz janë detyruar të gjejnë strehim në kampe të përkohshme që nga viti 2021.