Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vetëvritet një grua në Tiranë pasi iu publikuan foto intime në rrjetet sociale

QIKA 12.2.2024

Një grua 27 vjeçare i ka dhënë fund jetës së saj duke u hedhur nga terasa e pallatit ku jetonte në Tiranë. Ajo ishte dërguar në spital për ndihmë mjekësore por nuk kishte mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në lidhje me vdekjen e saj, nën aktakuzën për shkaktim të vetëvrasjes është arrestuar një burrë 39 vjeçar. “Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27 vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën”, ka njoftuar policia.

Fotografia është publikuar në rrjetin social Tik Tok e më pas ka qarkulluar ne rrjete të tjera si Telegram. Vetë 39 vjeçari në një prononcim në Tik Tok disa ditë më parë deklaronte se foton nuk e kishte publikuar ai, duke pretenduar se miqtë të tij që ishin në tavolinë me të i morën telefonin dhe e kishin publikuar pa dijeninë e tij.

Aktivistët feministë në Shqipëri u kanë bërë thirrje mediave që të raportojnë drejtë dhe të mos rishpërndajnë foton në fjalë. “U bëjmë thirrje të gjitha portaleve dhe televizioneve të trajtojnë me respekt këtë zonjë dhe te heqin urgjentisht foton! Ju ftojmë të mos merrni pjesë në denigrimin e viktimës në media!”, shkruan Kolektivi Feminsit në Shqipëri.