Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Zambia shpallë gjendjen emergjente për shkak të rreziqeve në rritje ndaj grave nga ngrohja globale

QIKA 10.7.2024

Zambia është e ekspozuar ndaj emergjencës së ngrohjes globale, e goditur nga thatësira dhe përmbytjet. Varfëria dhe pasiguria ushqimore po përkeqësohen për më shumë se 9.8 milionë persona. Presidenti i Zambias e ka shpallur gjendjen emergjencë kombëtare.

“Njerëzit nuk kanë ushqim dhe adoleshentët po rrezikohen”, tha infermierja nga Zambia, Suvannah Sinakaaba. “Shkallët e HIV janë mjaft të larta tek adoleshentët dhe disa përfshihen në aktivitete seksuale me peshkatarët, sepse ju nevojitet ndihmë financiare,” shtoi ajo.

Rastet e dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë shfrytëzimin seksual dhe martesën e fëmijëve, janë në rrezik të rritjes. Të ecurit në distanca të gjata për të mbledhur ujë i vë gratë dhe vajzat në rrezik të abuzimit seksual, raporton UNFPA.

Zambia tashmë ka një nga normat më të larta të martesës së fëmijëve në botë, me pothuajse një të tretën e vajzave të martuara gjatë moshave 15 dhe 19 vjeç.

Në gjashtë zona të Zambias, UNFPA mbështet hapësirat që ofrojnë këshillim për të zvogëluar rrezikun e shtatzënisë së adoleshentëve dhe martesave të fëmijëve. Financuar nga Suedia në vitin 2021, deri tani këto hapësira janë vizituar nga më shumë se 220,000 vajza.

UNFPA mbështeti trajnimin e më shumë se 80 vullnetarëve lokalë, të cilët mentorojnë familjet në Distriktin e Monze. Ata gjithashtu rrisin ndërgjegjësimin për dy linja ndihmëse që ofrojnë asistencë për shëndetin e nënës dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Këto linja kanë marrë mbi 280,000 thirrje deri tani këtë vit, prej të cilave më shumë se 30,000 lidhen me dhunën me bazë gjinore.

“Si vajza, ne mund të ktheheshim në prostitucion për të fituar para për të blerë ushqim, por mentorët na mësuan si të sigurojmë të ardhmen tonë dhe si të shmangim shtatzëninë dhe martesën e hershme”, tha Annah, një vajzë në vitin e saj të fundit në shkollë.

Në provincat e prekura, kequshqyerja është në nivele të rrezikshme dhe po rritet te gratë shtatzëna dhe te nënat gjidhënëse. “Konsultimet antenatale kanë rënë, dhe kjo është shqetësuese”, tha infermierja Linda Muleya Libingi.

Për mijëra njerëz në zonat e goditura nga thatësira, objekti më i afërt shëndetësor është me orë larg. “Në kohë krizash, dhe në kohë thatësirash si kjo, shëndetit të grave dhe vajzave, dhe sidomos shëndetit të tyre seksual dhe riprodhues, nuk u jepet përparësi”, thotë Leonard Zulu, i cili punon me UNFPA në Zambia.

UNFPA planifikon të ofrojë shtesa ushqimore dhe mësime gatimi që demonstrojnë se si të përdoren farat dhe arrat e burimeve lokale si pjesë e një diete të shëndetshme. Gjithashtu, për tre muajt e ardhshëm, UNFPA do të ofroj mbështetje për klinikat e lëvizshme.