Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Zhdukja e FGM-së po pengohet nga praktikimi ndërkufitar i gjymtimit

QIKA 4.7.2024

Kombet e Bashkuara kanë raportuar se lufta globale kundër gjymtimit gjenital femëror (Female Genital Mutilation – FGM) po minimizohet nga familjet që po vazhdojnë të kalojnë kufijtë për të dërguar vajzat e tyre në vendet ku kjo praktikë është e ligjshme ose ku ligjet që e kriminalizojnë atë nuk zbatohen.

“Gjymtimi gjenital femëror është vazhdimësi e dhunës me bazë gjinore dhe nuk ka vend në një univers që respekton të drejtat e njeriut. Stereotipet gjinore dhe normat patriarkale që mirëmbajnë dhe përjetësojnë praktikën duhet të çrrënjosen.”, tha Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Zyra bëri thirrje për veprime të bashkërenduara globale për të trajtuar FGM-në ndërkufitare dhe transnacionale duke ndaluar atë që e quajtën “prerje në pushime” – praktikë kjo veçanërisht e përhapur në mesin e familjeve në Evropë dhe Amerikën e Veriut, të cilat i çojnë vajzat e tyre në vendet e tyre të origjinës për t’iu nënshtruar procedurës së FGM-së gjatë pushimeve shkollore.

Ndonëse shumica e vendeve në Afrikë e kanë kriminalizuar praktikën, raporti tha se disa prej këtyre vendeve po shërbejnë si qendra transnacionale të FGM-së.

UNICEF e përkufizon FGM-në si “heqje të pjesshme ose totale të organeve gjenitale të jashtme ose dëmtime të tjera të organeve gjenitale femërore për arsye jo mjekësore”. Sipas UNICEF-it, më shumë se 230 milionë vajza dhe gra i janë nënshtruar gjymtimit gjenital, duke përfshirë më shumë se 144 milionë në Afrikë dhe më shumë se 80 milionë në Azi.