Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Zyrtarët publik në Kosovë të papërgatitur në trajtimin e rasteve të personave LGBTQ+

QIKA 22.6.2021

Qendra për Barazi dhe Liri (CEL) ka publikuar raportin “Përtej Ligjeve”. Ky raport paraqet kapacitetet e institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave socio-ekonomike të personave LGBT.

Në raport është përdorur metoda e testimit të situatës, ku dy gazetarë të fshehtë iu drejtuan Inspektorateve të Punës, Zyrave të Punësimit dhe Shërbimeve Shëndetësore duke kërkuar shërbime/udhëzime për personat LGBTQ+, thuhet në komunikatën e CEL.

Sipas të dhënave të raportit, zyrtarët e testuar dëshmuan se ishin të papërgatitur për tu marrë me klientët dhe pacientët LGBT, ku ndër të tjerash disa prej tyre kishin edhe një qasje paragjykuese ndaj personave të këtij komuniteti.

Të dhënat tregojnë se 27% e të anketuarve nga Kosova ishin diskriminuar në vendin e tyre të punës, ndërsa sa i përket diskriminimit në arsim u shënua nivel i lartë i homofobisë dhe transfobisë në shkolla, duke bërë kështu që mjedisi i arsimit të jetë i pasigurt për personat LGBT. Rreth 20% e të anketuarve kanë treguar se hasin vështirësi për të gjetur ofrues të kujdesit shëndetësor, ndërsa 13% prej tyre kanë pohuar se nevojat e tyre janë injoruar nga personeli i kujdesit shëndetësor.

Testimi i situatës në institucionet e Kosovës është kryer në pesë komuna: Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë dhe Prizren.

Në Inspektoratin e Punës rezultoi se ata nuk kishin njohuri për dispozitat ligjore anti-diskriminuese, dhe as për të kuptuar gjendjen specifike dhe nevojat e punëtorëve LGB. Kështu, gjysma e tyre nuk ishin të gatshëm të ofrojnë shërbime, dhe më shumë se gjysma ishin të papërgatitur për të ofruar shërbime të përshtatura për personat LGB.

Zyrat e Punësimit patën rezultate më të mira gjatë testimit, me ç’rast këshilltarët nuk shfaqën sjellje homofobike. Megjithatë, kjo zyre nuk i udhëzon apo nuk jep përparësi punëkërkuesëve LGB. Ndërsa, shërbimet shëndetësore dolën me rezultatin më të keq gjatë testimit, ku mjekët ishin të prirë të injoronin nocionet elementare të kujdesit shëndetësor lidhur me tranzicionin, si dhe shfaqën sjellje diskriminuese.

Disa nga rekomandimet e shumta që ofron ky raportit janë: futja e të drejtave dhe përfshirjes së personave LGBT në kornizën ligjore, njohja e të drejtës për çiftet e të njëjtit seks për të lidhur martesë ose partneritet civil, trajnimi i inspektorëve të punës në gjuhën e ndjeshme ndaj orientimit seksual dhe identiteti gjinore dhe kornizës anti-diskriminuese të Kosovës, grumbullimi dhe monitorimi i të dhënave për diskriminimin e punësimit ndaj punëtorëve LGBT në Kosovë, miratimi i politikave aktive të punësimit për personat LGBT, trajnimi i mjekëve mbi gjuhën e ndjeshme ndaj orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe kornizës anti-diskriminuese të Kosovës etj.

Raportin e plotë e gjeni në linkun e mëposhtëm:

https://cel-ks.org/wp-content/uploads/BEYOND_LAWS_ALB.pdf?fbclid=IwAR0krfp6ZCLdwvzZReZaF8eoX9iH75USxWW2g5DkIgD54CsVitAlyFGGVs0