Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

81 gra të vrara në 28 javë

QIKA 6.10.2021

Njerëzit thanë se diçka kishte ndryshuar pas vdekjes së tmerrshme të Sarah Everard. Por ky ndryshim me siguri nuk ka arritur tek burrat që përdhunojnë, sulmojnë dhe vrasin gra. Unë poashtu nuk po shoh ndonjë ndryshim as në qeveri, polici, gjyqësor, apo prokurori.

Që kur Sara Everard u rrëmbye, u përdhunua, u vra dhe sipas fjalëve të nënës së saj “u hodh si të ishte thes me plehra”, të paktën 81 gra të tjera në Mbretërinë e Bashkuar janë vrarë në rrethana ku i dyshuari kryesor është një burrë. Është absolutisht qesharake që ky informacion vie nga unë, një grua nga Londra, e nuk vie nga qeveria apo nga Këshilli i Shefave të Policisë Kombëtare. Secila nga këto gra ka vdekur në tmerr dhe dhimbje, ashtu si Sara. Secila ka lënë pas shoqërinë dhe familjen e pikëlluar për të cilët humbja do të zgjasë një jetë.

Dhuna fatale e burrave kundër grave prek të gjitha pjesët e shoqërisë, në moshë, klasë dhe etni. Por disa grave u jepet më shumë ndjeshmëri se të tjerave. Disa ka më shumë të ngjarë të mos besohen, të fajësohen, të shtyhen tutje pa ndihmën që u nevojitet. Kjo hierarki e tmerrshme e viktimave vazhdon deri në vdekje. Është pothuajse gjithmonë viktima e përsosur ajo që bën bujë në faqet e para – gruaja e re, e bardhë, tradicionalisht tërheqëse, e klasës së mesme e cila vritet nga një i huaj. Jo 50-vjeçarja nga një pronë e këshillit në Leicestershire, e vrarë nga babai i fëmijëve të saj pas një martese 30-vjeçare, ku jeta dhe dinjiteti i saj janë copëtuar, pak nga pak, çdo ditë. Ndoshta derisa ajo gjeti forcën për ta lënë atë dhe ai zgjodhi të ushtrojë formën përfundimtare të kontrollit.

Fillova të numëroja gratë e vdekura nga Janari 2012, pas vrasjes së 20-vjeçares Kirsty Treloar, e cila ishte referuar në bamirësinë në të cilën unë jam shefe ekzekutive, kur ajo po përpiqej të linte të dashurin e saj të dhunshëm. Një vit e gjysmë më vonë, Clarrie O’Callaghan dhe unë bëmë bisedën tonë të parë, një që do të çonte në zhvillimin e Regjistrimit të Femicideve. Ne kemi bërë kërkesa për Lirinë e Informacionit që nga viti 2009 në lidhje me dhunën fatale të burrave ndaj grave. Nga kjo ne kemi identifikuar se 62% e grave të vrara nga burrat janë vrarë nga një partner ose ish-partner dhe se të paktën një e treta e këtyre grave ishin në procesin e ndarjes ose ishin të ndara. Poashtu zbuluam që vajzat adoleshente si dhe gratë në të 80-at apo 90-at e tyre mund të vriten nga burrat që supozohej se i donin; zbuluam se 92% e grave që vriten nga burrat vriten nga dikush që ato njohin. Zbuluam se një në 12 gratë e vrara është e vrarë nga djali i saj.

Është marrëzi nëse vendosim një ambicie për t’i dhënë fund dhunës së burrave ndaj grave dhe vajzave, përderisa në mënyrë disproporcionale gratë janë viktima dhe burrat kryes të dhunës dhe abuzimit seksual e abuzimit në familje.