Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Disa gra në Mbretërinë e Bashkuar raportojnë se janë injektuar me gjilpëra droguese

QIKA 1.11.2021

Javën e kaluar, gra dhe vajza në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, bojkotuan klubet e natës dhe baret, ndërsa qytetet po i bashkohen protestës kombëtare të “Girls Night In” që vije si pasojë e rritjes së raporteve për drogimin e studenteve përmes injeksioneve me gjilpërë.

Fushata online, e cila ka marrë vrull në qytetet universitare, duke përfshirë Bristol, Brighton dhe Nottingham, dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për sigurinë e grave dhe të kërkojë veprime më urgjente nga qeveria si dhe nga klubet e natës për të parandaluar futjen e drogës në klube.

Llogaritë e “Girls Night In” që organizojnë bojkotime në qytetet britanike këtë javë kanë mbledhur mijëra ndjekës në rrjetet sociale.

Protestat erdhën pas një rritjeje të mprehtë të raporteve në muajt e fundit – ku gratë raportojnë se në klubet e natës janë injektuar me drogë në shpinë ose në këmbë. Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë tha se ka pasur 198 raporte të konfirmuara të rasteve të drogimit përmes pijes në shtator dhe tetor në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar si dhe 24 raporte të grave që janë injektuar me gjilpëra.

“Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar për kaq shumë studente që janë zgjuar pa asnjë kujtim për atë që kishte ndodhur një natë më parë. Kjo nuk është thjesht një dehje me alkool, ky është drogim dhe është diçka që mund të ndryshohet”, thanë organizatoret e protestave.