Qindra gra janë mbledhur në Sudan kundër dhunës seksuale pas akuzave se 13 gra dhe vajza u përdhunuan në një protestë të dielën. OKB tha se kishte marrë raportime shqetësuese se anëtarët e forcave të sigurisë kishin abuzuar seksualisht me gratë në demonstratën kundër ushtrisë.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA dhe Bashkimi Evropian thanë se dënojnë përdorimin e dhunës seksuale si një armë për të heshtur zërat e grave. Ndërsa forcat e sigurisë nuk kanë komentuar ende mbi akuzat.
Gratë kanë qenë në ballë të valës së protestave pro-demokracisë që kanë ndodhur në Sudan që kur ushtria organizoi një grusht-shtet në tetor.
“Përdhunimi nuk do të na ndalojë” dhe “gratë e Sudanit janë edhe më të forta” ishin ndër slloganet në protestat e së enjtes në kryeqytetin Khartoum dhe qytetin Omdurman, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Deklarata e nënshkruar gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra dhe Kanadaja – bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi akuzat për dhunë.