Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ada Nield Chew – punëtorja e fabrikës që luftoi për të drejtat e grave

QIKA 5.9.2023

Në vitet 1890, një rrobaqepëse që shkruante nën pseudonimin Crewe Factory Girl, u ankua në gazetën lokale për kushtet në vendin e punës. Ada, e cila  punonte në një fabrikë veshjesh, shkroi një seri letrash duke përshkruar padrejtësitë ndaj grave punëtore në fabrikë. Ajo vazhdoi të bënte fushata jo vetëm për trajtimin e drejtë të kolegeve të saj gra, por edhe iu bashkua luftës për të drejtën e votës së grave. Tani, aktivistët po shpresojnë të krijojnë një mënyrë të përhershme për ta kujtuar atë.

Në letrën e saj të parë drejtuar “Crew Chronicle” më 5 maj 1894, Ada Nield shkroi se merrte një rrogë tejet të vogël në Fabrikën e Veshjeve të Compton, ku ajo qepte uniforma për ushtarët, policinë dhe punonjësit e hekurudhave.

Duke e nënshkruar letrën nën pseudonimin “Crew Factory Girl”, ky shkrim paraqet të parin nga shumë shkrime që ajo i dërgonte redaktorit, i cili ishte i mahnitur nga puna e saj. “Korrespondenti ynë shkruan një letër shumë inteligjente”, shkroi ai në përgjigjen ndaj letrës së Ada-s.

E lindur në Staffordshire më 28 janar 1870, Ada ishte një nga 13 fëmijët në familjen e saj. Ajo braktisi shkollën në moshën 11-vjeçare për t’u kujdesur për familjen e saj, e cila u zhvendos në Crewe.

Deri në vitin 1894, ajo punoi në Compton’s dhe në një seri prej 12 letrash të shkruara gjatë katër muajve, ajo shkroi mbi çështjet e punëtorëve, duke përfshirë tarifimin për pauzë dhe pabarazinë midis pagave të fituara nga gratë dhe burrat që punonin në fabrikë.

Në letrën e saj të fundit, të datës 22 shtator 1894, Ada reflekton mbi ndikimin që kishte fushata e saj. Në veçanti, ajo foli për arritjen e një reduktimi të kostos së materialeve që punëtorët duhej të blinin. “Unë llogaris se reduktimi do sigurojë së paku 10 shilinga shtesë në vit në xhepin e çdo vajze. Kjo i ndihmon atyre tejet shumë në sigurimin e një pushimi shumë të nevojshëm vjetor”, shkroi ajo.

Ada nënshkroi letrën e saj të fundit me emrin e saj të vërtetë, megjithëse identiteti i saj ishte zbuluar tashmë në atë kohë dhe ajo kishte dhënë dorëheqje nga fabrika, ku poashtu punëtore të tjera ishin shkarkuar për shkak të miqësisë me të.

Ajo iu kthye politikës dhe u përfshi në Partinë e Pavarur së Punës. Pasi u martua me një aktivist brenda partisë, George Chew, ata patën një vajzë, Doris, e cila më vonë shkroi një libër për historinë e nënës së saj. Më pas, disa vite më vonë, Ada u përfshi në luftën për të drejtën e votës së grave.

Duke preferuar metodat paqësore të veprimit, ajo u bë një aktiviste për të drejtën e votës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo ishte një pacifiste dhe refuzoi të bashkohej me ndonjë punë që kishte të bënte me luftën.

Pasi disa grupe të grave siguruan të drejtën e votës në vitin 1918, Ada kryesisht qëndroi jashtë politikës, duke krijuar një biznes draperie dhe duke udhëtuar botën. Në moshën 75-vjeçare, në vitin 1945, ajo vdiq në Burnley, Lancashire.

Një fushatë e nisur në Angli tani ka për qëllim të ndërtojë një statujë të saj në Crewe në mënyrë që kujtimi dhe arritjet e saj të mund të kujtohen.

Fushata po kërkon të mbledhë midis 200,000 dhe 250,000 funtave për statujën përmes donacioneve. Dizajnerja Hazel Reeves është përzgjedhur si krijuese e statujës. Si pjesë e fushatës poashtu po zhvillohet një ekspozitë në lokacione të ndryshme në Crewe.

“Brenda familjes ne gjithmonë flisnim për të dhe se si ajo po përpiqej të përmirësonte gjërat për gratë, kështu që jam shumë i lumtur që më në fund u krijua kjo ekspozitë”, Nield Chew, nipi i Ada-s.

Ekspozita i kushtohet gjithashtu një gruaje tjetër nga po ky qytet, ish-kryetares së bashkisë, Dorothy Flude, e cila vdiq në vitin 2019. “Dorothy gjithashtu donte që të krijohej një statujë e Ada-s, kështu që kjo është një lloj trashëgimie e Dorothy”, tha Blakemore.