Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Anglia do hapë qendra për t’iu ndihmuar grave shtatzëna me shëndetin mendor

QIKA 12.4.2021

Në Angli do të krijohen qendra të shëndetit mendor për nënat e reja ose në pritje të fëmijëve. 26 qendrat që do të hapen më së largu deri në prillin e ardhshëm do të ofrojnë kontrolle shëndetësore fizike dhe terapi psikologjike. Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Anglisë tha që këto qendra do të sigurojnë trajtim për rreth 6,000 prindër të rinj.

Pesë vite më parë, 40% e zonave në Angli nuk kishin shërbime të dedikuara për shëndetin mendor të nënave. SHKSH shpreson të ofrojë shërbime edhe për njerëzit me vështirësi të pakta, mirëpo investimet e para do përqendrohen në nënat me vështirësi më të mëdha.

Sipas SHKSH, këto klinika parashihen të integrojnë maternitetin, shëndetin riprodhues dhe terapinë psikologjike për gratë që përjetojnë vështirësi të shëndetit mendor që vinë drejtpërdrejt nga ose lidhen me përvojën e lindjes.

Lizzie, e cila përjetoi rënie të humorit dhe makthe gjatë shtatzënisë së saj, si pasojë e një abort spontan që kishte më parë, iu referua shërbimit për mbështetje. Ajo u diagnostikua me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD). Pas trajtimit dhe pasi kishte lindur vajzën e saj Enfys, Lizzie tha: “Ndihem jashtëzakonisht më mirë pas kësaj shtatzënie dhe lindje krahasuar me atë që ndjeva pas përvojës time me fëmijën tim të parë, kur nuk kishte ndonjë mbështetje në dispozicion për mua; shqetësimi i shtuar për të pasur një abort spontan, presionet e kufizimeve të Covid-19 dhe të mos qenit në gjendje për të parë familjen time.Ndihem më e lumtur, më e sigurt dhe shumë më mirë me shëndetin tim mendor. Ndihem plotësisht e rikuperuar”, tha ajo.

Klinikat poashtu do të trajnojnë stafin e maternitetit dhe mamitë si dhe persona për ofrimin e terapive psikologjike për njerëzit gjatë shtatzënësisë dhe pas lindjes. Deri në vitin 2024 parashihet ofrimi i kujdesit specialist për të paktën 66,000 gra me vështirësi të shëndetit mendor në lidhje me shtatzëninë, lindjen ose prindërimin.