Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përfundon me vetëm 12 % folëse gra

QIKA 9.10.2023

Përfaqësimi i zhdrejtë gjinor u vërejt përsëri në një nga mbledhjet më të mëdha ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku më pak se 12% e folësve të këtij takimi të nivelit të lartë ishin gra.

Nga gjithsej 130 liderë botërorë dhe më shumë se 50 ministra morën fjalën në këtë takim vjetor, vetëm 21 – gjashtë kryetare shtetesh, katër kryeministre, një zëvendës presidente, nëntë ministre dhe një zëvendësministre – ishin gra.

Kjo nuk është hera e parë që një raport joproporcional gjinor është shënuar nëpër seancat e asamblesë, raporton Independent.

Teksa zëvendës-sekretarja e përgjithshme e OKB-së Amina Mohammed ftoi shtetet anëtare që të reflektojnë mbi përfaqësimin e ultë të grave në OKB, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa tërhoqi duartrokitje në ditën e parë të takimit duke deklaruar se gratë përbënin gjysmën e kabinetit të tij. “Duhet të na shqetësojë të gjithëve se shumica e njerëzve që janë ulur në këtë kuvend janë burra,” tha ai. “Pyetja që duhet të bëjmë: ku janë gratë e botës? Gratë e botës kanë të drejtë të jenë këtu”.