Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm

QIKA 4.8.2023

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit. Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Sejdiu me burgim prej 15 vitesh.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu u akuzuan për një sërë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Dy të akuzuarit janë liruar nga akuzat për dhunimin e Osmanit. “Dardan Krivaqa lirohet nga aktakuza për dhunim. Po ashtu, edhe Arbër Sejdiu është liruar nga aktakuza për ndihmë në dhunim”, ka thënë gjyqtari nga trup gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Në këtë seancë fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.