Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dënohet me 35 vjet burgim Izet Godeni për vrasjen e bashkëshortes së tij

QIKA 18.4.2024

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit Izet Godenit për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe e ka dënuar me 35 vite burgim, raporton Albanian Post.

“I akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00 në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta anëtarin e familjes së tij – bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë … që i ka shkaktuar asaj lëndime të rrezikshme për jetën, e për shkak të të cilave e ndjera kishte ndërruar jetë”, thuhet në aktgjykim.

Më 25 nëntor 2022, i njëjti kishte privuar nga jeta bashkëshortën e tij, Sadije Godeni, në orët e hershme të mëngjesit. Për këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë. Por, Apeli më 26 shtator 2023 e kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Apelit, pranimi i fajësisë nga i akuzuari Godeni është bërë jashtë normave ligjore dhe se nuk është mbështetur në të gjitha faktet dhe çështjet që përmban aktakuza.