Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Deputete e deputetë, legalizojeni sprejin!

QIKA 14.10.2022

Sot, Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist, vazhduan me vazhdën e aksioneve mbi kërkesat rreth sulmeve dhe ngacmimeve seksuale.

Para Kuvendit të Kosovës, u vendos një baner që kërkon legalizimin e sprejit irritues për vetëmbrojtje. Në deklaratën e përgjithshme u shprehë se siguria e vajzave dhe grave po vazhdon të neglizhohet nga institucionet shtetërore, duke i lënë gratë dhe vajzat të pambrojtura dhe lehtësisht të cenueshme në çdo hapësirë.

Komunikata e plotë nga Kolektivi: “Deputete e deputetë, legalizojeni sprejin!

Sot përsëritëm kërkesën tonë për legalizim të sprejit irritues për vetëmbrojtje pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke e konsideruar thellësisht të padrejtë kriminalizimin e mjeteve për vetëmbrojtje për vajzat e gratë, ne kërkojmë që shteti përfundimisht të përgjigjet dhe të mos vazhdojë t’ua kriminalizojë edhe më tutje mbrojtjen e vetës.

Raportimet e përditshme të rasteve të dhunës seksuale po na tregojnë që siguria e vajzave dhe grave po vazhdon të neglizhohet nga institucionet shtetërore, duke i lënë gratë dhe vajzat të pambrojtura dhe lehtësisht të cenueshme në çdo hapësirë. Sulmet seksuale, përdhunimet e ngacmimet janë përditshmëria e grave dhe vajzave në Kosovë. Pra, për një pjesë të madhe, çdo ditë është luftë. Çdo ditë ato jetojnë në ankth e frikë, pa shumë mundësi mbrojtjeje. Duke qenë që shteti po dështon të ofrojë siguri, atëherë ne detyrohemi ta mbrojmë vetën, me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. E këtë, nuk do të vazhdojmë t’ia lejojmë shtetit të na mohojë.

Ne kërkojmë që përdorimi i sprejit irritues të dekriminalizohet për përdorim për vetëmbrojtje. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari siguri për vetën e secilën vajzë e grua që sot jeton me frikë. Deri atëherë kur të gjitha të jemi të lira e të sigurta!”