Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

El Salvadori liron nga burgu gruan e dënuar për abort

QIKA 14.2.2022

Autoritetet në El Salvador liruan nga burgu një grua që kishte qëndruar 10 vjet në burg nga një dënim 30-vjeçar për vrasje të rëndë, pasi pësoi një urgjencë obstetrike. Ajo ishte akuzuar për ndërprerje të shtatzënisë. Elsy, mbiemri i së cilës nuk u bë i ditur për arsye privatësie, kishte pësuar një abort në qershor të vitit 2011 gjersa punonte si punëtore shtëpiake.

Grupi lokal për të drejtat e njeriut (ACDATEE) tha se ajo u arrestua menjëherë dhe u akuzua për vrasje të rëndë pak kohë më pas. Aborti është i ndaluar në El Salvador në çdo rrethanë. Këtu përfshihen rastet e përdhunimit, incestit ose kur shëndeti i gruas është në rrezik. Vendi ka ndjekur penalisht 181 gra që pësuan urgjenca obstetrike.

ACDATEE publikoi një foto të Elsy pasi ajo u lirua nga burgu. Grupi tha se lënda e saj fillestare gjyqësore ishte plot me parregullsi dhe pa supozim të pafajësisë. “Ne festojmë lirimin e Elsy-t pas 10 vitesh. Dënimi i saj i gabuar 30-vjeçar për vrasje të rëndë ka përfunduar. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë pa u lodhur për të çliruar ato që mbeten të privuara nga liria”, tha në një deklaratë presidentja e organizatës jofitimprurëse, Morena Herrera. “Elsy u nda nga djali i saj, i cili kishte vetëm atë. Tani më shumë se 10 vjet më vonë, ajo do të jetë në gjendje të ribashkohet me të dhe familjen e saj”, deklaroi organizata.

Elsy është bërë gruaja e pestë e liruar para përfundimit të dënimit që nga dhjetori i vitit të kaluar. Më 23 dhjetor, El Salvadori liroi tre gra që ishin burgosur për akuza të ngjashme. Që nga viti 2009, organizata e Herrerës ka siguruar me sukses lirimin e 61 grave të burgosura për akuza të ngjashme gjatë 20 viteve të fundit.