Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjermania do të mbështesë planin e BE-së për kuotat e grave

QIKA 25.2.2022

Gjermania do të mbështesë propozimin e BE-së, me ç’rast 40% e anëtarëve jo-ekzekutivë të bordit të kompanive do të jenë gra.

Anne Spiegel, ministrja gjermane për çështjet e familjes, të moshuarve, grave dhe rinisë, tha se ky propozim do të votohet në mars të këtij viti, duke përmirësuar kështu ekuilibrin gjinor midis drejtorëve jo-ekzekutivë të kompanive. Spiegel u shpreh se ky është një hap i domosdoshëm drejt një barazie më të madhe gjinore.

Ky propozim daton që nga nëntori i vitit 2012, mirëpo po miratohet tani pas një dekade. Kjo për shkak se disa nga vendet anëtare të Be-së nuk kishin miratuar një gjë të tillë, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. Angela Merkel kishte thënë se kjo çështje duhej trajtuar në nivel kombëtar, por megjithatë viteve të fundit Gjermania ka miratuar ligjet e saj që synojnë të rrisin numrin e grave në rolet drejtuese të kompanive.

Shumica dërrmuese e Parlamentit Evropian votoi në favor të këtij propozimi të Komisionit në vitin 2013. Ndërsa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pohoi se tani është koha për të çuar përpara këtë propozim, raporton Politico.

Sipas Instituti Evropian për Barazinë Gjinore (EIGE) në vitin 2019, gratë përbënin 28% të anëtarëve të bordit të kompanive më të mëdha të listuara në vendet e BE-së.