Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjobitet skuadra e hendbollit të vajzave sepse zgjedhën të mos veshin bikini në ndeshje

QIKA 21.7.2021

Skuadra norvegjeze e hendbollit të plazhit është gjobitur pasi lojtaret zgjodhën të veshin pantallona të shkurtra në vend të bikinive të poshtme përgjatë një ndeshjeje në Kampionatin Evropian.

Federata Evropiane e Hendbollit të hënën ka gjobitur secilën prej lojtareve me 150 euro si rezultat të thyerjes së rregullores mbi uniformën. Sipas rregullores së federatës atletet gra duhet të veshin bikini të poshtme me një gjerësi anësore maksimumi 10 centimetra. Ndërkohë, burrat duhet të veshin pantallona të shkurtra që nuk janë “shumë zbuluese” dhe 10 centimetra mbi kapakun e gjurit.

Trajneri i ekipit Eskil Berg Andreassen tha për CNN se rregulloret e uniformës mund të dekurajojnë gratë për të luajtur këtë sport. Ai ka deklaruar se gjoba ka qenë e pritur për shkak se lojtaret kanë qenë duke luftuar për rroba alternative prej disa vitesh. Andreassen tha që ekipi norvegjez dëshiron që gratë të kenë mundësinë e zgjedhjes se çka ato dëshirojnë të veshin.

Ai poashtu paralajmëroi se rregulloret e uniformës mund të jenë duke dekurajuar gratë që të jenë pjesë e sportit e sidomos gratë e shteteve me shumicë muslimane. “Ne gjithashtu duhet të marrim një vendim në lidhje me vajzat arabe – si mund të përfshijmë më shumë vajza arabe në këto lloj sportesh.”

Shoqata Norvegjeze e Hendbollit (SHNH) deklaroi në Twitter: “Ne jemi shumë krenarë për këto vajza të cilat gjatë Kampionatit Evropian ngritën zërin duke thënë se MJAFT ËSHTË MJAFT”.

“Ne në SHNH qëndrojmë me ju dhe ju mbështesim. Së bashku ne do të vazhdojmë të luftojmë për të ndryshuar rregulloret e veshjeve, në mënyrë që lojtaret të lejohen të luajnë në rrobat me të cilat ndihen më rehat”, ka shtuar SHNH.

Federatat thanë se tema e uniformave të vajzave ishte diskutuar tashmë në Kongresin e Federatës Evropiane të Hendbollit në prill të vitit 2021 dhe se çështja do të trajtohet nga Komisioni i sapo zgjedhur i Hendbollit të Plazhit në gusht.