Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë dhe vajzat ukrainase janë në rrezik të madh nga dhuna seksuale

QIKA 1.4.2022

Situata aktuale në Ukrainë i vë në rrezik të gjithë qytetarët që jetojnë aty, por kërcënimi është shumë më i madh për gratë dhe vajzat ukrainase, sipas Dagmar Schumacher, drejtore e zyrës së UN Women në Bruksel.

Rreziku për vajzat dhe gratë ukrainase është i shumëfishtë. Ato janë në rrezik të shtuar nga dhuna seksuale si në Ukrainë, ashtu edhe në vendet tjera ku emigrojnë për të gjetur strehim të përkohshëm.

Një panel ekspertësh të OKB-së për të drejtat e njeriut theksuan tashmë rrezikun në rritje për gratë. “Historia ka treguar në mënyrë të përsëritur se shpërthimi i konfliktit dhe lufta rrit ekspozimin e grave dhe vajzave ndaj krimeve të luftës, veçanërisht të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, vrasjeve arbitrare, përdhunimeve dhe trafikimit,” thanë ekspertët.

Një shembull i këtij rreziku në rritje është përdhunimi i grave ukrainase nga ushtarë rusë, të cilit i referohet ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ku diskutoi për konfliktin e vazhdueshëm në vend dhe raportet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë një ngjarjeje online të organizuar nga think-tank Chatham House.

Gjatë deklaratës së tij, ai foli për raste të shumta të dhunës seksuale gjatë javëve kur presidenti rus Vladimir Putin filloi një ofensivë gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës.

Drejtorja e UN Women gjithashtu shtoi se gratë janë më të prekura në çdo krizë: “Sido që të jetë kriza, qoftë nga ndryshimet klimatike, gratë dhe vajzat preken të parat dhe më së shumti.”