Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë e zeza përballen me pabarazi në sportin e notit

QIKA 26.7.2022

Mungesa e qasjes së ofruar në sportin e notit për komunitetet e zezakëve ka bërë që diskriminimi të përshkallëzohet.

Sipas një sondazhi të vitit 2021 nga Sport England, 77% e fëmijëve nga familjet më të pasura në Angli mund të notojnë 25 metra pa ndihmë, ndërsa vetëm 34% nga familjet më pak të pasura mund ta bëjnë të njëjtën gjë. Fëmijët anglezë me të ardhura të ulëta dhe prejardhje të pakicave etnike të ndryshme kanë më pak gjasa të mësojnë not.

Sipas raportit të Sport England, botuar në janar 2020, rreth 95% e të rriturve zezakë dhe 80% e fëmijëve me ngjyrë në Angli nuk marrin pjesë rregullisht në not, ndërsa rreth 93% e të rriturve aziatikë dhe 78% e fëmijëve aziatikë, përfshirë ata me origjinë indiane, pakistaneze dhe bangladeshe, nuk marrin pjesë rregullisht në not, zbuloi i njëjti studim. Kjo prirje shtrihet në SHBA, ku gati 64% e fëmijëve zezakë kanë aftësi të dobëta apo nuk kanë aftësi për të notuar, krahasuar me 40% të bashkëmoshatarëve të tyre të bardhë, sipas të dhënave të vitit 2017 nga organi kombëtar qeverisës i vendit për sportin në nivel konkurrues, raporton CNN.

Nënpërfaqësimi i njerëzve me ngjyrë në pishinë në SHBA mund të gjurmohet në fillim të shekullit të XX-të. Pishinat publike u bënë të njohura në Amerikën e Veriut në vitet 1920 dhe ‘30 dhe fillimisht ishin të hapura për të gjithë. Megjithatë, politikanët veriorë përcaktuan një rregull që ato mund të përdoreshin vetëm nga të bardhët. Edhe pas përfundimit të ndarjes ligjore racore në SHBA në vitin 1964, pishinat publike vazhduan të ishin mjedise armiqësore. Ndërsa njerëzit me ngjyrë filluan të përdorin pishinat publike, notarët e bardhë u tërhoqën në privatësinë e pishinave të tyre dhe klubeve private, ku tarifat e shtrenjta vazhdojnë të jenë një pengesë ekonomike për familjet zezake që nuk mund të përballojnë koston.

FINA – organi global qeverisës për notin – tha për CNN se nuk ka një ndarje të etnive të notarëve në nivel bazë apo elitë. Në vitin 2021 FINA ndau 6.6 milionë dollarë për programet e zhvillimit për shpërndarje midis të gjitha federatave kombëtare dhe shoqatave kontinentale, duke nxitur gjithashtu diversitetin në sport përmes programit të saj.