Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë marshuan në rrugët e Elbasanit kundër vrasjes së Liljana Buzos

QIKA 14.5.2021

Me moton“THUAJA EMRIN”, gra e vajza nga qendra e qytetit marshuan drejt gjykatës aty ku edhe ndodhi krimi makabre ku Liljana Buzo u vra nga burri i saj.

Ndalesa e parë ishte në vendin ku Liljana humbi jetën, pikërisht në vendin ku supozohet të vihet drejtësia, në gjykatë, Në shenjë përkujtimi e solidarizimi u vendosën trëndafila dhe u ndezën qirinj.

Vrasja pranë institucionit të drejtësisë është simbol i dështimit të shtetit, thanë gratë pjesëmarrëse në protestë.

Nisma feministe SHOTA në një qëndrim publik ka deklaruar se Liljana Buzo u vra nën hundën e drejtësisë.

“Kjo grua gjeti guximin të kryente denoncimin, të niste procesin e divorcit në gjykatë, të ndiqte çdo hap legjitim për t’u shkëputur nga kthetrat e dhunës, ku një lumë grash në Shqipëri gjenden ende të ngërthyera. Liljana u vra mu këtu ku ne ndodhemi sot dhe vrasja e saj s’mund të kalojë si numër rendor. Asnjë prej nesh s’është numër! Jetët tona s’janë nënkategori kronikash të zeza në ekran”, thuhet në komunikatën e publikuar nga SHOTA.

54-vjeçarja Liljana Buzo u qëllua për vdekje nga bashkëshorti pasi kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit. 58-vjeçari Koço Buzo e priti bashkëshorten jashtë gjykatës ku iu afrua  duke e qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine. E gjithë ngjarja ndodhi në sy të djalit të tyre, ndërsa pas krimit 58-vjeçari ka thënë se gruaja donte që të ndahej prej tij dhe këtu kishte nisur zanafilla e konfliktit.