Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Gaza po përdorin pilula që vonojnë menstruacionet

QIKA 7.11.2023

Shumë gra palestineze po përdorin pilula që vonojnë menstruacionet e tyre për shkak të rrezikut dhe kushteve johigjienike të shkaktuara nga lufta.

Duke u përballur vazhdimisht me zhvendosje, kushtet e vështirësuara të jetesës dhe mungesën e qasjes në ujë dhe produkte të higjienës menstruale si peceta higjienike dhe tamponët, gratë kanë marrë tableta norethisterone – të përshkruara zakonisht për kushte të tilla si gjakderdhja e rëndë menstruale, endometrioza dhe perioda të dhimbshme – për të shmangur sikletin dhe dhimbjet menstruale.

Sipas Dr Walid Abu Hatab, një konsulent mjekësor i obstetrikës dhe gjinekologjisë në Kompleksin Mjekësor Nasser në qytetin jugor të Khan Younis, tabletat mbajnë nivelet e hormoneve të progesteronit për të ndaluar mitrën të heqë mukozën e saj, duke vonuar kështu menstruacionet.

Sipas profesionistëve mjekësorë, pilulat mund të kenë efekte anësore të tilla si gjakderdhja e parregullt vaginale, vjellje, ndryshime në ciklin menstrual, marramendje dhe ndryshime të humorit. Megjithë efektet anësore, gratë si Salma Khaled thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të rrezikojnë të marrin këto pilula duke konsideruar situatën e rëndë të luftës dhe bombardimeve në Gaza.

Salma u largua nga shtëpia e saj në lagjen Tel al-Hawa të qytetit të Gazës dy javë më parë dhe po qëndron në shtëpinë e një të afërmi në kampin e refugjatëve Deir el-Balah në Gazën Qendrore. 41-vjeçarja thotë se ka qenë në një gjendje të vazhdueshme frike, shqetësimi dhe depresioni, gjë që ka ndikuar në ciklin e saj menstrual.

“Po përjetoj ditët më të vështira të jetës sime gjatë kësaj lufte”, thotë Salma. “Kam pasur periodat dy herë këtë muaj deri më tani – gjë që është shumë e parregullt për mua – dhe pësova gjakderdhje të rëndë,” shpjegon ajo.

Farmacitë dhe dyqanet po përballen furnizim të dobët për shkak të okupimit total nga Izraeli. Përveç kësaj, bombardimi i Izraelit në rrugët kryesore në Rripin e Gazës ka bërë që transporti i produkteve mjekësore në farmaci një rrugëtim të pamundur, sipas Abu Hatab.

Përderisa pecetat higjienike janë më të kërkuara dhe të vështira për t’u gjetur, tabletat që vonojnë periodat janë përgjithësisht më të disponueshme në disa farmaci, pasi ato nuk përdoren zakonisht, raporton Aljazeera.

Sipas Nevin Adnan, psikologe dhe punonjëse sociale me bazë në qytetin e Gazës, thotë se gratë zakonisht mund të përjetojnë simptoma psikologjike dhe fizike në ditët para dhe gjatë menstruacioneve të tyre, të tilla si ndryshime në disponimin e tyre dhe dhimbje në fund të barkut dhe shpinës.

Aktualisht, ajo tha se më shumë gra janë të hapura për të marrë pilula që vonojnë menstruacionet për të shmangur sikletin dhe turpin për shkak të mungesës së higjienës, privatësisë dhe produkteve shëndetësore e sanitare.