Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Palestinë po luftojnë për fjalën e lirë

QIKA 27.7.2023

60 vjeçarja Shatha Odeh, u lirua nga një burg izraelit më 3 qershor 2022. Ajo kaloi një vit në burg pasi Izraeli pretendon se ajo drejton një organizatë të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez.

Në realitet, Odeh tha se ajo u arrestua sepse ishte Drejtore e Komiteteve të Punës Shëndetësore (HWC), një organizatë e shoqërisë civile që ofron kujdes shëndetësor për personat që jetojnë në Bregun Perëndimor. Pas lirimit të saj, Shatha-s iu dha urdhër nga autoritetet izraelite që të ndalonte së punuari për HWC.

Sipas OKB-së, Izraeli e ka cilësuar organizatën e saj, së bashku me organizatat e tjera kryesore palestineze, si “terroriste” ose “të paligjshme”, pa ofruar asnjë provë për të vërtetuar këtë pretendim.

Arrestimi i saj frymëzoi një fushatë në mediat sociale, #freeShathaOdeh si dhe një shtysë nga pothuajse 130 organizata nga më shumë se dyzet vende që mbështesin një letër që kërkonte që Organizata Botërore e Shëndetësisë të ndërhynte për lirimin e saj.

Përderisa Shatha u burgos nga forcat izraelite, ajo u mor në pyetje pa pasur qasje te këshilltari ligjor dhe iu nënshtrua një trajtimi të ashpër. Shumë gra tjera që punojnë për organizata të ngjashme poashtu janë kërcënuar nga forcat izraelite që të ndalojnë punën e tyre sepse përndryshe do të përballen me paraburgim dhe pasoja të tjera.

“Ka një zvogëlim të hapësirës për gratë që shprehin mendimet ose idetë e tyre në media. Ne ndihemi sikur askush nuk na mbështet apo mbron. Pra, ndonjëherë edhe do heshtim sepse përjetojmë kërcënime ne, vajzat tona e familjet tona”, tha Odeh.

Organizatat e shoqërisë civile në territorin e pushtuar palestinez kanë mbrojtur publikisht miratimin e një Projektligji për Mbrojtjen e Familjes, i cili do të trajtoj dhunën ndaj grave. Projektligji është kritikuar ashpër nga individë dhe grupe, duke përfshirë disa avokatë, gjyqtarë, studiues ligjorë dhe disa udhëheqës fetarë, politikë dhe të komunitetit në mediat sociale, sepse ligji mund të shihet si minim i roleve stereotipike gjinore.