Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë nuk po zemërohen më shumë, ato thjeshtë po i japin vetes leje për të shfaqur zemërimin e tyre

QIKA 10.10.2023

Besimi i rrënjosur se zemërimi është cilësi për t’u admiruar dhe për t’u çmuar tek burrat, por është i papranueshëm tek gratë, krijon tirani të emocioneve të ndara me bazë gjinore. Zemërimi i grave shihet si një tipar i lindur i personalitetit që del nga stereotipi se gratë janë më emocionale. Burrat nuk quhen të frustruar, të egër apo nën ndikimin hormonal. Këto fjalë u rezervohen grave që shfaqin zemërimin e tyre.

Kur kapitenja e skuadrës indiane të kriketit për femra u përjashtua nga dy ndeshje dhe u gjobit për thyerjen e trungjeve me shkop në një shpërthim zemërimi në korrik, reagimi në rrjete sociale ishte i shpejtë dhe i ashpër: Harmanpreet Kaur u quajt “patetike” për zemërimin e saj, dhe u etiketua “e neveritshme dhe budallaqe”. Kjo është në kundërshtim të plotë me mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj agresionit mashkullor në sport. Me një kërkim të shpejtë në internet do të gjeni shumë forume diskutimi dhe artikuj që lavdërojnë “burrat e zemëruar të kriketit indian me të cilët nuk do të dëshironit të ngatërroheshit” dhe lojtarët e kriketit si Virat Kohli, i cili është emëruar “Hulku” sepse ai është i zemëruar gjatë gjithë kohës, raporton The Guardian.

Sondazhet e fundit tregojnë se gratë po zemërohen më shumë në mbarë botën. Por gratë kanë qenë gjithmonë të zemëruara. Ato thjesht po i japin vetes leje ta shprehin hapur këtë zemërim, meqë kanë shumë arsye për të qenë të zemëruara.

Derisa gratë po ndihen më rehat me zemërimin e tyre dhe shfaqjen e tij, duhet të eleminohet edhe streotipi gjinor se zemërimi i grave është jo i natyrshëm dhe i papranueshëm.