Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë që po kërkojnë ndihmë për shëndetin mendor po stigmatizohen si “dramatike”

QIKA 21.7.2023

Një hulumtim i bërë së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se një e pesta e grave të reja që kanë kërkuar ndihmë për shëndetin e tyre mendor, janë paragjykuar se po tregoheshin “dramatike”. Hulumtimi zbuloi gjithashtu se 27% e atyre që kishin folur për një krizë të shëndetit mendor gjatë pesë viteve të fundit, iu është thënë se problemet e tyre mund të ishin hormonale.

Statistikat e fundit të ONS treguan se nivelet e vetëvrasjeve në mesin e grave nën moshën 25 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar janë në rritje. Organizatat bamirëse të shëndetit mendor dhe aktivistët thonë se kjo ndodhë pjesërisht edhe për faktin se ekzistojnë stereotipe për gratë që nënkuptojnë se kur ato kërkojnë ndihmë, ndjenjat dhe simptomat e tyre shpesh nuk shihen ose shpërfillen.

Sondazhi YouGov, i realizuar nga shoqata bamirëse për parandalimin e vetëvrasjeve Campaign Against Living Miserably (Calm), pyeti më shumë se 2,000 gra për përvojat e tyre kur flisnin për një krizë të shëndetit mendor, si sulmet e panikut ose depresioni. Sondazhi zbuloi se shumë gra nuk mendonin se ishin marrë seriozisht kur u përpoqën të kërkonin ndihmë.

Një e treta thanë se u pyetën nëse po “mendonin shumë gjëra” dhe 20% u pyetën nëse “ishin me menstruacione”. Sondazhi zbuloi se 22% e grave kishin frikë se mos shiheshin si “kërkuese të vëmendjes”.

Simon Gunning, shefi ekzekutiv i Calm, tha se “këto janë të dhëna janë tronditëse dhe shërbejnë si një kujtesë e fortë se ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur të rinjtë dhe për ta bërë parandalimin e vetëvrasjeve prioritet kombëtar.”

“Ne duhet të ndërmarrim veprime të menjëhershme dhe të përpiqemi të largojmë stigmën që i pengon gratë të marrin njohjen që meritojnë në kohë krize. Duke u ofruar atyre mbështetjen e nevojshme, ne mund të sigurojmë që asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me betejat e saj.”

Organizata bamirëse përmendi disa nga faktorët kryesorë të krizave të shëndetit mendor tek gratë e moshës 18-34 vjeç si imazhi i trupit, vetmia, problemet e marrëdhënieve, shqetësimet për paratë dhe krahasimi i tyre me të tjerët në rrjete sociale.

Nëse ju apo dikush tjetër keni nevojë të flisni me dikë, kontaktoni Linjën e Jetës (pa pagesë): 0800 12345