Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë shtatzëna në Gaza nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore

QIKA 19.10.2023

Përveç shterrimit të burimeve të ujit, karburantit dhe energjisë elektrike, përgjatë krizës humanitare në Gaza, edhe sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit.

Rreth 50,000 gra shtatzëna në Gaza janë aktualisht të përfshira në konflikt dhe sipas përllogaritjeve rreth 160 gra pritet të lindin çdo ditë në mes të kaosit dhe luftimeve. Këto gra po përballen me sfida ekstreme në qasjen e shërbimeve të sigurta të lindjes, pasi që spitalet janë të mbingarkuara me pacientë dhe kanë mungesë të ilaçeve e furnizimeve bazë, duke përfshirë edhe menaxhimin e urgjencave obstetrike.

Rreth 73,000 gra janë aktualisht shtatzëna në Bregun Perëndimor, dhe më shumë se 8,120 prej tyre pritet të lindin në muajin e ardhshëm derisa ekziston rreziku i përhapjes së dhunës, raporton United Nations Population Fund (UNFPA).

Në Gaza, UNFPA po punon në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve për të ofruar furnizime për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe produkte higjienike për gratë dhe vajzat.

Në Bregun Perëndimor, Ministria e Shëndetësisë ka zhvendosur mamitë nga spitalet në qendrat e urgjencës në Safe Motherhood Emergency Centres, duke siguruar që shërbimet e mamive të jenë të qasshme në çdo komunitet. Përveç kësaj, platformat e mbështetjes online ndihmojnë në sigurimin e qasjes së vazhdueshme në kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues për gratë.

Me gati gjysmën e popullsisë së Gazës të zhvendosur, rreziku i dhunës me bazë gjinore është rritur gjithashtu në mënyrë eksponenciale për gratë dhe vajzat që janë në lëvizje, duke kërkuar strehim në strehimore.