Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Grave afgane u ndalohet të merren me sport nën qeverisjen e re të Talibanëve

QIKA 9.9.2021

Gratë afgane do të ndalohen të luajnë sport nën qeverinë e re talibane. Ahmadullah Wasiq, nënkryetari komisionit kulturor të talibanëve tha se sporti i grave konsiderohet si i papërshtatshëm dhe i panevojshëm.

Pavarësisht premtimeve për formimin e një administrate gjithëpërfshirëse, talibanët nuk kanë përfshirë asnjë grua në kabinetin e tyre qeverisës. Me këtë rast Departamenti i SHBA-së shprehu shqetësimin mbi këtë çështje, por theksuan se do të gjykojnë këtë administratë të re nga veprimet që do të ndërmarrin.

Zyrtarët në bordin e ekipit të kriketit në Afganistan shprehën shqetësimin mbi fatin e sportit të kriketit të grave. Programi i bordit për gratë tashmë është pezulluar. Gratë që merren me këtë sport janë fshehur që kur talibanët erdhën në pushtet dhe ndër të tjera ato kanë raportuar kërcënimet që kanë marrë nëse do të kapen duke luajtur këtë sport, raporton The Guardian.

Talibanët kanë bërë premtime se këtë herë do të qeverisnin në mënyrë më të moderuar, megjithatë një gjë e tillë nuk është vërejtur ende. Sipas Bill Roggio, redaktor në Long War Journal, qeverisja e re e talibanëve është praktikisht e njëjtë me atë të vjetrën.