Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Instituti “Musine Kokalari”: Pagesat për lehonat rrezikojnë t’i vendosin gratë në një rol njëdimensional shoqëror – atë të nënës

QIKA 15.10.2021

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka publikuar një raport analizues për politikën e Qeverisë së Kosovës mbi pagesat për lehonat. Sipas këtij instituti, ky vendim është problematik nëse nuk përcjellet me masa agresive të punësimit të grave sepse rrezikon t’i vendos gratë vetëm brenda rolit të amësisë.

Më poshtë gjeni komunikatën për media dhe raportin e plotë të realizuar nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”:

Sado i dobishëm, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” e vlerëson problematik vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar gratë lehona me 7 milionë euro, duke iu referuar Masës 3.5 – Pagesa për Lehonat dhe Shtesat e Fëmijëve, për shkak të efekteve të mundshme anësore.

Siç dihet, Qeveria e Kosovës ka paraparë edhe përfshirjen e lehonave të punësuara për fuqizimin e grave në tregun e punës.

Duke e zbërthyer më gjërësisht analizën e kësaj mase në raportin e saj të ri, IPS “Musine Kokalari” fton  Qeverinë e Kosovës ta përcjellë këtë masë me një politikë paralele dhe agresive të punësimit.

Pagesat mujore për lehonat janë të destinuara drejtpërdrejt për gratë. Nëse nuk ka njëkohësisht rritje të punësimit të grave në Kosovë, atëherë pagesa për lehoninë rrezikon t’i paraqes dhe vendos gratë në një rol njëdimensional shoqëror – atë të nënës. Masa për rritje të punësimit të gruas janë paraparë në të njëjtën Pako Ringjallje, por duhet të fillojë zbatimi i saj me të njëjtin intensitet.

Sheshtësia e shpërndarjes së pagesave për lehonat dhe shtesat për fëmijë mirëmbajnë pabarazinë aktuale shoqërore. Trajtimi i të gjitha familjeve njësoj pavarësisht të hyrave mujore që ato i kanë është i gabuar dhe i padrejtë (edhe pse formalisht i barabartë). Familjet me numër të anëtarëve të njejtë, por me të ardhura mujore në nivele të ndryshme, çon në keqshpenzim të parasë publike. E njëjta gjë vlen edhe për pagesat për lehonat, qofshin ato të punësuara ose jo.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka bërë gjithashtu disa kalkulime duke u bazuar në të dhënat e lindjeve nga ASK , sa i përket ndarjes së buxhetit për lehonat e punësuara dhe ato të papunësuara. Në vitin 2020, kur numri i lindjeve ishte 21 mijë e 952, kostoja e gjithëmbarshme e kësaj mase do të ishte në shumën prej 19 milionë euro (shih formulën në raport).

Ndërsa, vetëm gjatë muajit gusht 2021 është raportuar të kemi pasur 5 mijë e 800 lindje. Përgjithësisht gjatë vitit 2021, ASK ka raportuar numër më të madh të lindjeve krahasuar me vitet paraprake të kalkuluara në këtë raport.

5,139*170.00*6=5,240,984.40 euro – për lehonat e papunësuara

661*170*3=337,507.80 euro – për lehonat e punësuara.

Më poshtë, vegëza në të cilën mund ta shkarkoni raportin:

https://musineinstitute.org/wp-content/uploads/2021/10/Raporti-per-mbeshtetjen-e-lehonave-te-papuna-8.pdf