Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Irani instalon kamera për të identifikuar gratë pa mbulesë

QIKA 12.4.2023

Autoritetet iraniane kanë filluar të instalojnë kamera në vende publike për të identifikuar gratë e pambuluara. Sipas policisë, gratë që do shihen duke mos i mbuluar flokët do të pranojnë një “SMS paralajmërues për pasojat”. Kjo sipas tyre do të ndihmonte në parandalimin e rezistencës kundër ligjit të mbulesës.

Protestat kundër mbulesës u ndezën vitin e kaluar nga vdekja në paraburgimin policor të Mahsa Amini, një gruaje të re kurde e arrestuar për dyshime se ka shkelur rregullin e mbulesës. Që nga vdekja e saj, një numër në rritje i grave i kanë hequr mbulesat e tyre, veçanërisht në qytetet më të mëdha, pavarësisht rrezikut të arrestimit, raporton BBC.

Një deklaratë e policisë e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Republikës Islamike tha se sistemi përdori të ashtuquajturat kamera “të zgjuara” dhe mjete të tjera për të identifikuar dhe dërguar “dokumente dhe mesazhe paralajmëruese për shkelëset e ligjit të mbulesës”.

Deklarata e fundit e policisë e përshkroi mbulesën si “një nga themelet civilizuese të kombit iranian” dhe u kërkoi pronarëve të bizneseve të respektojnë rregullat përmes “inspektimeve të zellshme”.

Sulmet publike ndaj grave të pambuluara nuk janë të rralla. Edhe pasi mijëra protestues në Iran janë arrestuar dhe katër janë ekzekutuar që nga dhjetori, forcat e shtetit kanë vazhduar të këmbëngulin që të bëhet më shumë për të zbatuar ligjin.