Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ish-ministri i Shëndetësisë dënohet për sulm seksual

QIKA 20.5.2021

Ish ministri i Shëndetësisë Numan Baliq është dënuar me 2 vjet burgim këtë të enjte, ka bërë ditur Betimi për Drejtësi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Shaqë Curri, ai është dënuar për veprën penale të sulmit seksual. Baliqit gjithashtu i është ndaluar ushtrimi  i profesionit të mjekut prej dy vitesh.

“Sipas aktakuzës të ngritur më 29 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësorë duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e dëmtuara, në natën kritike kishte qenë duke e shoqëruar fëmijën e saj 6 muajsh, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur” ka shkruar Betimi për Drejtësi.

Më tutje sipas aktakuzës, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut/kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme.

E dëmtuara, vazhdon aktakuza, duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, më pas e raporton rastin në Polici.