Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Islanda humbet mundësinë për të zgjedhur parlamentin e parë evropian me shumicë gra

QIKA 29.9.2021

Islanda besonte se kishte bërë histori duke zgjedhur parlamentin e parë evropian me shumicë gra, por rinumërimi i votave e tregoi një realitet tjetër.

Rezultatet e mëhershme kishin shfaqur se gratë do të fitonin të paktën 33 ulëse (52%), por zgjedhjet treguan se vetëm 30 nga 63 vendet u fituan nga ato (47.6%). Këto rezultate nënkuptojnë që gjashtë gra më shumë janë zgjedhur për parlament, por megjithatë, burrat mbajnë shumicën e vendeve, shkruan BBC.

Sipas të dhënave nga Unioni Ndër Parlamentar, përgjatë historisë, asnjë vend evropian nuk e ka kaluar pragun prej 50% me përfaqësim të grave, përveç Suedisë e cila i përafrohet me 47%.

Prej kohësh, Islanda konsiderohet si vendi që ka arritur më së shumti barazinë gjinore për 12-të vite radhazi, ka raportuar Forumi Ekonomik Botëror.

Aty ofrohet leja prindërore njësoj për të dy prindërit dhe gjithashtu ligji për pagë të barabartë mes burrave dhe grave daton që nga viti 1961. Ndër të tjerash, Islanda është vendi i parë në botë që kishte pasur për Presidente një grua në vitin 1980.

Tani për tani vetëm në 5 vende të botës gratë mbajnë gjysmën e vendeve në parlamente, prej tyre, Ruanda është vendi i vetëm që gratë përbëjnë 61.3% të anëtareve në parlament, duke vazhduar me Kubën që ka 53.4%, Nikaragua me 50.6% dhe Meksika me Emiratet e Bashkuara Arabe deri në 50%.