Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kanada po vendosë gratë gjenerale në postet më të larta ushtarake

QIKA 21.5.2021

Pas një sërë akuzash për keqpërdorim të posteve nga oficerët e lartë ushtarak burra, Kanada ka vendosur që të emërojë gratë gjenerale në postet më të larta ushtarake. Kjo ka ndodhur për shkak që forcat e armatosura nuk po adresojnë problemet sistematike të ngacmimeve seksuale.

Art McDonald, ushtari më i lartë i Kanadasë, u largua nga posti i shefit të shtabit të mbrojtjes pas gjashtë javësh, për arsye të ngacmimit seksual. Ndërsa, gjenerali Jonathan Vance po hetohet si pasojë e akuzave për sjellje të papërshtatshme ndaj dy grave.

Ministria e Mbrojtjes së Kanadasë, pezulloi nga posti gjeneral-major Dany Fortin këtë të premte. Arsyeja nuk është bërë ende e ditur, por kanë filluar hetimet. Fortin u zëvendësua nga gjeneralja e brigadës Krista Brodie. Ndërsa, gjenerali Mike Rouleau, i cili ishte nënkryetar i shtabit të mbrojtjes u zëvendësua nga gjeneralja Frances Allen, njëherit gruaja e parë që u emërua në këtë post.

Jennie Carignan, gjeneralja e sapo-graduar, është vënë në krye të ekipit që adreson sjelljet e këqija sistematike dhe ngacmimet seksuale brenda Forcave të Armatosura. Poashtu u kërkua nga Gjykata e Lartë Louise Arbor, që të drejtohet një hetim për ngacmimet seksuale dhe sjelljet e këqija në ushtri.   Leah West, ish-oficere e mirëpriti këtë thirrje ndaj Gjykatës, pasi që ajo ishte sulmuar në vitin  2008 nga një oficer i lartë, por nuk kishte gjetur mbështetje. West pohoi se përkundër provave të qarta prej vitesh rreth sjelljeve të këqija dhe ngacmimeve seksuale në ushtri, nuk është bërë asnjë ndryshim, raporton The Reuters.

Forcat e Armatosura njoftuan për ngritjen në detyrë të tri grave gjenerale. Sipas David Perry, analist i mbrojtjes në Institutin Kanadez për Punë Globale, emërimi i grave në poste të larta ushtarake demonstron se Forcat e Armatosura Kanadeze janë vendi ku gratë mund të shërbejnë plotësisht. Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se gratë përbënin vetëm 10% të niveleve të larta ushtarake dhe detare.