Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“KelKos” paditë me 100 mijë euro aktivisten e mjedisit Shpresa Loshaj

QIKA 18.2.2021

Aktivistja për mbrojtje të mjedisit Shpresa Loshaj, njofton se sot ka pranuar nga gjykata një padi nga kompania “KelKos” ku ajo akuzohet për shpifje dhe dëmtim imazhi për shkak të reagimeve të saja të njëpasnjëshme lidhur me dëmet që kjo kompani po i shkakton mjedisit në Kosovë. Kompania po kërkon nga Loshaj 100,000 euro si dëmshpërblim sipas tyre për dëmin e shkaktuar në publik.

“Padia është bërë nga avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi për faktin që kam shkruar në fb, kam folur në media dhe kam kontaktuar ZRrE dhe Ministrinë e Ambientit; po, edhe për këto të fundit. Kjo padi është bërë disa muaj pasi e njëjta kompani e paditën aktivistin Adriatik Gacaferi me 10,000 euro për një kritikë të drejtë që ia kishte bërë Kelkosit. Vetëm se te rasti im, vendosën t’ia shtojnë prapa edhe një 0”, ka shkruar Loshaj në profilin e saj në Facebook.

Ajo thotë se tashmë ka filluar përgatitjen e përgjigjes ndaj padisë duke shtuar se do të vazhdojnë të angazhohen edhe më shumë në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Avokatja Rina Kika e cila në këtë proces do të përfaqësoj Shpresa Loshajn, ka shkruar se “Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit po sulmohen në mënyra të ndryshme në gjithë botën. Jam e lumtur që në këtë proces gjyqësor SLAPP do ta mbroj e përfaqësoj Shpresa Loshajn”. Kika ka shpjeguar se “SLAPP – janë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike – me këto padi synohet që të pengohet kritika dhe pjesëmarrja e aktivistëve në procese publike.”

Shpresa Loshaj u angazhua vazhdimisht për mbrojtjen e lumit në grykë të Deçanit dhe shkatërrimet në Zallin e Rupës me anë të reagimeve të shumta duke shkruar letra politikanëve të Kosovës, duke avokuar në media në mbrojtje të Grykës së Deçanit nga kompania KelKos. Ajo ka ngritur këtë çështje në Asamble Komunale të Deçanit, në Komisionin Hetimor Parlamentar, në mënyrë që të ngritet si çështje në parlamentin e Carinthia të Austrisë, nga vjen Kompania KelKos.

Foto: Shpresa Loshaj. Illustration: BIRN/Igor Vujcic