Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Këngëtarja iraniane dënohet pasi performoi pa hixhab

QIKA 26.6.2026

Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi, 29 vjeç, është dënuar me 74 goditje me kamxhik, pasi performoi pa hixhab.

Artistja 29-vjeçare u ndëshkua pasi, së bashku me disa anëtarë të ekipit të saj, realizoi në vitin 2024 një koncert të transmetuar drejtpërdrejt në YouTube, ku interpretoi këngën patriotike “Az Khoon-e Javanan-e Vatan” (“Nga gjaku i të rinjve të atdheut”). Videoja e koncertit, e njohur si “Caravanserai Concert”, u bë virale dhe mori vëmendje të gjerë ndërkombëtare.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, gjykata penale në provincën e Qom-it e dënoi artisten dhe disa muzikantë të tjerë jo vetëm me 74 goditje me kamxhik, por edhe me ndalim të daljes jashtë vendit për dy vite dhe ndalim të ushtrimit të aktivitetit artistik për dy vite të tjera, shkruan Euronews.

Vendimi ende nuk është publikuar nga autoritetet gjyqësore iraniane, por dokumentet e siguruara nga aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut tregojnë se akuzat lidhen me “cenim të moralit publik” për shkak të prodhimit dhe publikimit online të përmbajtjes që autoritetet e konsiderojnë “imorale dhe të papërshtatshme”.

Ky rast ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare dhe po shihet si një tregues i qartë se dhuna institucionale ndaj grave në Iran mbetet ende shumë prezente në Iran.

Bahar Ghandehari, drejtore për avokim në Center for Human Rights in Iran, deklaroi se ky dënim është “një tjetër kujtesë se gjendja e të drejtave të njeriut në Iran nuk ka ndryshuar, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar imazhin e tyre përmes propagandës.”

Ndërkohë, profesorja e letërsisë perse në Universitetin e Pensilvanisë, Fatemeh Shams, e cilësoi këtë akt si dhunë të hapur kundër grave, duke theksuar se paqja nuk mund të ekzistojë në një shoqëri ku gratë kriminalizohen për të kënduar, studiuar, punuar apo për të zgjedhur mënyrën e tyre të jetesës.

Rasti i Parastoo Ahmadi rikthen edhe një herë vëmendjen tek realiteti i grave në Iran, ku kontrolli shtetëror mbi trupin dhe lirinë e tyre vazhdon të përdoret si instrument pushteti.