Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kërkohet drejtësi për Adelina Sejdinin

QIKA 15.11.2021

Dje në Tiranë një grup aktivistësh marshuan në kujtim të Alma Sejdinit, e njohur ndryshe si Adelina 113, aktivistja shqiptare që vrau veten disa ditë më parë. Sejdini kishte gjetur guximin të denonconte grupet kriminale shqiptare që merreshin me trafikimin e qenieve njerëzore, ku një prej viktimave kishte qenë edhe vetë ajo.

Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri, në moshën 17-vjeçare, Sejdini e gjeti vetën mbi një gomone, e më pas të trafikuar në Itali. Adelina vendosi t’i besojë drejtësisë italiane, çka çoi në arrestimin e 40 trafikantëve.

Thirrjet që shoqëruan marshimin deri tek ambasada italiane ishin: “Adelina Sejdini, ti je heroinë”, “Edhe në varr, Adelina është më e fortë se ju” etj.

Protestuesit kritikuan edhe raportimin mediatik, duke iu referuar mënyrës si Adelina Sejdini u etiketua pas tragjedisë. “Viktimë trafikimi, jo-ish prostitutë”, u brohoritë gjatë marshimit.

Në mbyllje të organizimit, aktivistët lanë në hyrje të ambasadës italiane fotografinë e Adelina Sejdinit, lulet që mbanin në duar, pankartat dhe banerin “Asnjë tjetër si Adelina”, raporton CitizenChannel.