Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kina po shtyp lëvizjen feministe, por zërat e grave vetëm se po fuqizohen më shumë

QIKA 16.6.2021

Lëvizja feministe në Kinë është përballur me shtypje të rëndë viteve të fundit, ani pse kryetari i Kinës, Mao Zedong, ishte shprehur ndryshe në manifestin për barazi gjinore duke thënë se “gratë mbajnë gjysmën e qiellit”. Kjo shprehje e tij është larg realitetit, gratë në Kinë po përjetojnë diskriminim dhe neglizhim të madh në vende të punës, politikë e në shtëpi.

Kjo shtypje është vërejtur edhe në rrjete sociale, liria e shprehjes u ndikua mjaft shumë, duke e konsideruar që fjalët “feminizëm” dhe “MeToo” janë fjalë të ndjeshme dhe censurohen në internet. Vetëm në fillim të këtij viti, Pekini filloi që të rrisë përpjekjet e tij për të shuar zërat feministë, ku papritmas ishin pezulluar dhjetëra llogari në rrjetet sociale.

Autoritetet kineze dhe kompanitë e teknologjisë u përpoqën të justifikonin këtë veprim nën pretekstin se feministet dhe aktivistët e ndryshëm ‘po e prishin rendin shoqëror’.

Li Maizi është një nga “Pesë Feministet”, një grup i grave të reja Kineze të cilat ishin arrestuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Grave në vitin 2015-të për planifikimin e demonstratës kundër ngacmimeve seksuale në transport publik. Zonja Li shprehi se termi “feminizëm” është politizuar shumë në Kinë, mu për këtë ajo ishte sulmuar në internet nga shumë nacionalistë. Ajo shpreh se “Në sytë e tyre unë isha bërë një separatiste e Hong Kongut”.

Përkundër të gjitha rrethanave të tanishme në Kinë, lëvizja feministe ka një histori të gjatë dhe mjaft komplekse nga e kaluara. Në fund të viteve të 1800, gratë ishin përfshirë në mënyrë aktive për përmbysjen e monarkisë Qing dhe krijimit të republikës së re, në mënyrë që të fitonin të drejtën e votës dhe për të garuar në zgjedhje.

Në vitet 1930-të, nën qeverisjen e Partisë Nacionaliste, gratë fituan të drejtën e tyre për vota, së bashku me reformat e tjera ligjore, të tilla si e drejta që gratë të divorcoheshin dhe për të zgjedhur partnerët e tyre të martesës lirshëm.

Gratë kishin luajtur role të rëndësishme në luftën kundër Japonisë, si në partitë KMT ashtu edhe në PK, si ushtare, propaganduese, ndihmëse dhe mbledhëse fondesh.

Në 1949, kur CCP fitoi Luftën Civile kundër KMT, qeveria komuniste mbështeti gratë ekonomikisht dhe gjithashtu me stabilitetin e fituar, u ndihmoi atyre që të përdornin të drejtat e tyre ligjore në martesë, punësim dhe trashëgimi.

Në këto arritje hynë edhe sigurimi kuotave për gratë në politikë dhe mundësinë e përmirësimit të kujdesit shëndetësor të nënave dhe fëmijëve, kontracepsionin dhe abortin, si dhe pagën e barabartë për punë të barabartë.

Lu Pin, 49 vjeç, është një aktiviste feministe kineze që vepron në SH.B.A., e cila ka mbrojtur të drejtat e grave për më shumë se dy dekada.

Zonja Lu tha se megjithëse aktivizmi feminist në Kinë po përballet me një shtypje të paparë, ka ende shenja pozitive. “Sot, shumë të reja e të rinj bien dakord se janë feministë. Sot, debati mbi feminizmin në shoqërinë kineze është jashtëzakonisht i ashpër,” tha ajo.