Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kroacia kriminalizon femicidin

QIKA 11.4.2024

Kroacia, përmes ndryshimeve në kodin penal që u miratuan muajin e kaluar, u bë vendi i tretë në Bashkimin Evropian pas Qipros dhe Maltës që njeh femicidin si krim të veçantë.

Sipas ndryshimeve, vrasësit e grave do të dënohen me 10 deri në 40 vjet burg, dënimi më i ashpër i parashikuar nga ligji kroat.

Këto ndryshime u nisën pas vrasjes së studentes së drejtësisë Mihaela Berak, e cila u qëllua për vdekje nga një oficer policie në shërbim me të cilin ishte në lidhje për pak kohë.

“Këto ndryshime do të mbrojnë të drejtat, sigurinë dhe dinjitetin e grave dhe do të dërgojnë një mesazh të qartë se dhuna ndaj grave është e papranueshme,” tha kryeministri konservator Andrej Plenkoviç në fund të shkurtit kur shpalli projektligjin.

OJQ-të dhe aktivistet/ët në Kroaci e kanë mirëpritur ndryshimin, teksa treguan se Kroacia ka shkallën e tretë më të lartë të rasteve të femicidit nga 27 vendet e BE-së, raporton Barron’s.

Sipas të dhënave të BE-së, vitin e kaluar, 2,300 gra në Evropë u vranë nga një partner intim ose anëtar i familjes, 12 prej këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Kroaci.