Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lansohet Protokolli Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale

QIKA 6.12.2022

Me rastin e shënimit të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.

Përgatitja e këtij Protokolli plotëson detyrimin për zbatimin e Konventës së Stambollit, legjislacionit në fuqi, si dhe Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022–2026.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai në një fjalë rasti ka thënë se qëllimi i këtij protokolli është që ta bëjë të qartë që rastet e dhunës seksuale të trajtohen pavarësisht cili institucion e pranon informatën i pari.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu u shpreh se ky protokoll është një nga dokumentet më të rëndësishëm që është prodhuar së fundi nga Ministria e Drejtësisë. Ajo tha se të dhënat e rasteve të dhunës seksuale në vend, viteve të fundit kanë shënuar rritje.“311 raste të ekzaminuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore vetëm për periudhën 2019-2021″ – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë, raporton Kallxo.com.

Haxhiu gjatë fjalës së saj i bëri thirrje edhe mediave, pa dallim, që të mos publikojnë emrat e viktimave dhe ta ruajnë identitetin e tyre.