Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Librat e feministes 75-vjecare kryesojnë listën e shitjeve në Kinë

QIKA 20.10.2023

Viteve të fundit qeveria e Kinës ka promovuar vlera shoqërore gjithnjë e më konservatore, duke inkurajuar gratë që të fokusohen në kujdesin ndaj fëmijëve. Ajo poashtu ka censuruar lëvizjet e shoqërisë civile duke nxjerrë ligje që bllokojnë ndikimin nga jashtë shtetit. Andaj, një studiuese feministe japoneze 75-vjeçare, e cila nuk është e martuar e nuk ka fëmijë, nuk është personi tipik për të marrë famë në Kinë.

Por Chizuko Ueno, profesore në Universitetin e Tokios, tani është personazh i njohur në internetin e censuruar të Kinës. Ajo u bë e njohur në vitin 2019 me një fjalim thumbues ndaj pritshmërive shoqërore që gratë të duken gjithmonë bukur dhe presionin me të cilin përballen ato për të fshehur sukseset e tyre.

Sipas Beijing OpenBook, në gjysmën e parë të vitit 2023 më shumë se një milion kopje të librave të Ueno-s u shitën në territorin e Kinë. Këto libra ishin në dispozicion në 26 librari kineze që nga shtatori. Temat që mbulojnë librat variojnë nga mizogjinia në shoqërinë japoneze deri te teoria feministe dhe çështjet e kujdesit për të moshuarit.

“Starting From the Limit”, një koleksion letrash midis Ueno dhe Suzumi Suzuki, një shkrimtare që dikur luante filma pornografikë, kryesoi listën e Librave të Vitit 2022 në platformën popullore kineze të recensioneve Douban.

Idetë feministe nuk janë të ndaluara me ligj në Kinë, por të gjithë e shohin aktivizmin me dyshime e skepticizëm, raporton US News.

Mbështetësit vlerësojnë se vendimi i Uenos që të mos martohet ose të ketë fëmijë e bën atë model, derisa Leta Hong Fincher, hulumtuese në Institutin e Azisë Lindore Weatherhead, e cila shkruan për diskriminimin gjinor në Kinë, beson se popullariteti i Ueno është pasqyrë e rritjes së interesit për të drejtat e grave.