Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Luljeta Aliu fiton rastin në gjykatë ndaj Policisë

QIKA 19.4.2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se policia ka diskriminuar Luljeta Aliun në bazë të gjinisë dhe i anuloi vendimet e Policisë që e shfajësuan zyrtarin policor si të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese. Kur ajo kishte shkuar të raportonte në polici që ish-bashkëshorti i saj ka shkelur urdhërin mbrojtës, togeri e kishte detyruar atë të largohet nga stacioni policor duke mos ia regjistruar fare raportimin. Pas ankesës së Luljetës, togeri ishte arsyetuar duke thënë se ajo kishte veshur “një fustan tejet të shkurtër dhe një maicë me rripa”.

Luljeta konstatoi se kjo ishte gënjeshtër dhe në statusin e saj në rrjete sociale shkruan:

“Pasi jam ankuar ndaj tij, ai kishte gënjyer për tu shfajësuar, duke thënë se isha veshur shumë shkurtë, që është gënjeshtër. Prandaj nuk kanë pranuar t’i nxjerrin regjistrimet e kamerave siç e kam kërkuar, sepse e kanë ditur se kanë gënjyer. Mbi të gjitha, për largimin tim nga stacioni dhe shfajësimin dhe shpalljen të pafajshëm të zyrtarit policor nga të gjitha shkallët e Policisë së Kosovës, si arsyetim e kanë përdorë se zyrtari policor më paska larguar duke u bazuar në një dokument të quajtur “Kodi i Veshjes për Zyrtarë dhe Palë”, i cili fare nuk ekziston. Të paktën jo për palë. Nëse një grua shkon të lajmërojë dhunën, ajo mund të jetë edhe lakuriq, sepse ndoshta ashtu e ka pasur rastin, dhe policia duhet ta trajtojë. Por në rastin tim as që bëhet fjalë për veshje të shkurtë, por këta, aq nuk mërziten për shkeljet që i bëjnë, që fare nuk mundohen të jenë të arsyeshëm as në gënjeshtrat e tyre. Pra, për ta arsyetuar diskriminimin ndaj meje, këta e kanë përdorë “veshjen e shkurtë”, që prapë kanë diskriminuar!”.

Luljeta është përfaqësuar në gjykatë nga avokatja Rina Kika, e cila shprehë se kjo fitore është e pjesshme, meqenëse çështja është zvarritur dhe përsëri gjykata nuk mori ndonjë vendim për policët që diskriminuan dhe shkelën të drejtat e Luljetës.

“Megjithatë, fitorja jonë është e pjesshme dhe erdhi shumë vonë:  gjashtë vite pasi që ka ndodhur diskriminimi. Përkundër kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e ditur se ky proces është zvarritur për kaq shumë kohë, nuk e vendosi përfundimisht çështjen, por ia la Policisë ta marrë vendimin përfundimtar për shkeljet disiplinore të zyrtarit policor. Përpos kësaj, Gjykata nuk e shqyrtoi fare kërkesën për kompensim të dëmit jo-material. Prandaj sot, ne iu drejtuam Gjykatës së Apelit me ankesë për të kërkuar adresimin e kërkesave të mbetura në padi,” shkruan Rina Kika në statusin e saj.