Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbretëria e Bashkuar voton për ta shpallur mizogjininë krim të urrejtjes

QIKA 21.1.2022

Dhoma e Lartë ka votuar për ta bërë mizogjininë një krim urrejtjeje në Angli dhe Uells. Ndryshimi i ligjit do tu mundësonte gjyqtarëve të vendosnin dënime më të forta nëse ka prova të paragjykimit ndaj grave dhe gjithashtu do të kërkonte që policia të regjistronte krimet që mund të kishin motive të tilla si urrejtja ndaj gjinisë ose seksit të personave.

Në tetor të vitit të kaluar, Boris Johnson, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, hodhi poshtë idenë se mizogjinia duhet të shpallet si krim urrejtjeje, duke thënë se një gjë e tillë do të sillte më shumë probleme. Poashtu, këtë sugjerim e hodhi poshtë edhe sekretari i drejtësisë, Dominic Raab.

Lady Williams, ministrja e brendshme, vuri në dukje një raport nga Komisioni i Ligjeve, i cili theksonte se shpallja e mizogjinisë si krim urrejtje nuk do ta parandalonte armiqësinë ndaj grave. Megjithatë, këtë të hënë, kaloi amendamenti me 242 vota pro dhe 185 kundër, raporton The Guardian.

Përpjekja për të ndryshuar projektligjin dhe për ta shpallur mizogjininë një krim urrejtjeje u drejtua nga Lady Newlove, ish komisionere e viktimave. Sipas saj është e pakuptimtë që nga tre milionë krime që janë kryer kundër grave përgjatë tri viteve të fundit, sistemet ligjore dhe policore ende nuk e njohin si krim armiqësinë e rrënjosur thellë ndaj grave. Newlove tha se një gjë e tillë ka bërë që të rritet krimi ndaj tyre, andaj votimi pro për këtë projektligj është i domosdoshëm.