Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mijëra njerëz marshojnë kundër femicidit në Kenia

QIKA 20.2.2024

Demonstrata e ndodhur në Kenia ishte ngjarja më e madhe ndonjëherë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore. Mijëra njerëz janë mbledhur për të protestuar në qytete dhe qyteza kundër vrasjeve të fundit të grave.

Protestuesit mbanin bluza të printuara me emrat e grave që ishin viktima të vrasjes këtë muaj. Turma, e përbërë kryesisht nga gratë e ndaloi edhe trafikun.

“Ndaloni vrasjet ndaj grave!” demonstruesit bërtisnin ndërsa tundnin tabela me mesazhe të tilla si “Nuk ka justifikim për vrasjet e grave”.

Turma në Nairobi ishte mjaft armiqësore ndaj përpjekjeve të përfaqësueses parlamentare për gratë, Esther Passaris, për t’iu drejtuar atyre. Duke e akuzuar atë për heshtje gjatë valës së fundit të vrasjeve, protestuesit e bërtitën atë me thirrjet “Ku ishe ti atë kohë?” dhe “Shko në shtëpi!”

“Një vend gjykohet jo nga sa mirë i trajton njerëzit e tij të pasur, por sa mirë kujdeset për të dobëtit dhe të pambrojturit,” tha Presidenti i Shoqatës Juridike të Kenias Eric Theuri, i cili ishte në mesin e demonstruesve.

Mediat keniane kanë raportuar vrasjen e të paktën 14 grave që nga fillimi i vitit, sipas Patricia Andago, një gazetare e të dhënave në kompaninë mediatike dhe kërkimore Odipo Dev, e cila gjithashtu mori pjesë në marshim.

Odipo Dev raportoi këtë javë se nga raportimet e lajmeve tregohet se të paktën 500 gra u vranë nga femicidi prej janar 2016 deri në dhjetor të 2023-tës. Kurse, shumë raste të tjera as nuk raportohen, tha Andago.

Dy raste që mbërthyen Kenian këtë muaj përfshinin dy gra që u vranë në akomodimet në Airbnb. Viktima e dytë ishte një studente universiteti, e cila u copëtua dhe iu pre koka pasi ajo thuhet se ishte rrëmbyer për shpërblim.

Theuri tha se rastet e dhunës me bazë gjinore kërkojnë shumë kohë për t’u dëgjuar në gjykatën keniane, gjë që ai mendon se inkurajon kryerësit të kryejnë krime kundër grave.