Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Angli paralajmërohen vdekje të shumta të foshnjave, si pasojë e burgosjes së grave shtatzëna

QIKA 24.9.2021

Ekspertët kanë paralajmëruar se më shumë foshnja mund të vdesin në burg për shkak të rritjes së vendeve në burgje nga qeveria. Si arsye shtesë ekspertët e shohin edhe refuzimin e ministrave për të miratuar kërkesa të shumta për t’i dhënë fund burgosjes së grave shtatzëna.

Paralajmërimi vjen pasi një raport hetimi i publikuar nga Ombudsmani i Burgjeve të mërkurën, zbuloi në detaje drithëruese se si në shtator 2019 një e burgosur 18-vjeçare në burgun e Bronzefield në Ashford, u detyrua të lindte fëmijën e saj e vetme në qelinë e saj, ku foshnja nuk mbijetoi.

Adoleshentes, e cila ishte në paraburgim me akuzën e grabitjes dhe e cila në raport referohej si zonja A, i ra të fikët gjatë lindjes. Ajo pastaj u ngjit në shtrat me foshnjën e saj të vdekur. Të burgosurat tjera lëshuan alarmin të nesërmen në mëngjes kur hynë në qelinë e saj dhe kishin parë gjak kudo. Mbrëmjen para këtij mëngjesi, zonja A i kishte rënë ziles së qelisë për të kërkuar ndihmë, por nuk kishte marrë përgjigje, raporton The Guardian.

Laura Abbott, një pedagoge e lartë për mamitë në Universitetin e Hertfordshire, tha se kujdesi i dobët i marrë nga zonja A nuk është një rast i izoluar. “Ajo që më ka alarmuar vërtet është se këto janë gra shtatzëna që kërkojnë ndihmë dhe nuk marrin ndihmën që u nevojitet. Nëse gratë janë të mbyllura dhe nuk mund të marrin ndihmën e nevojshme, ato kurrë nuk do të jenë të sigurta në burg”, shtoi ajo.

Aktualisht njëmbëdhjetë shtete të botës nuk burgosin gratë shtatzëna ose nuk kufizojnë ashpër liritë e tyre. Këto shtete përfshijnë Rusinë, Ukrainën dhe Brazilin.