Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Brazil ndalohet plani i shpërndarjes së produkteve menstruale falas

QIKA 13.10.2021

Vendimi i Presidentit Jair Bolsonaro për të bllokuar një plan për shpërndarjen e tamponëve dhe pecetave menstruale falas për vajzat dhe gratë është pritur me zemërim në Brazil, ku varfëria menstruale vlerësohet se mbanë jashtë shkollës një në katër vajza.

Bolsonaro vendosi veton ndaj një projektligji që do të kishte dhënë produkte menstruale pa pagesë për grupet si të pastrehat, të burgosurat dhe vajzat adoleshente në shkollat shtetërore. Nga projekti pritej që të përfitonin 5.6 milionë gra dhe ai ishte pjesë e një pakete më të madhe ligjesh për të promovuar shëndetin menstrual, raporton The Guardian.

Tabata Amaral nga partia Socialiste Braziliane dhe një nga 34 deputetët federalë që formuluan projektligjin, tha se presidenti duke vënë veton ndaj planit javën e kaluar kishte treguar përbuzjen e tij për dinjitetin e grave.

“Bolsonaro thotë se ky projekt është ‘kundër interesit publik’ – unë them se ajo që është kundër interesit publik është që vajzat të humbasin rreth gjashtë javë shkollë në vit sepse janë me menstruacione”, tha Amaral.

Në maj, një raport nga fondi i OKB -së për fëmijët zbuloi se 713,000 vajza në Brazil jetojnë pa qasje në banjo; rreth 4 milion vajza nuk kanë mjete të përshtatshme higjienike në shkollë, të tilla si peceta menstruale dhe sapun si dhe të paktën 200,000 vajzave u mungojnë ambientet minimale higjienike.

Amaral kundërshtoi pretendimin e qeverisë se burimi i 11 milionë paundëve në vit për të mbuluar planin ishte i paqartë, duke thënë se plani në fakt ishte specifikuar se do të financohej nga ministria e shëndetësisë dhe fondi kombëtar për burgje. Ajo vuri në dukje se ministria e shëndetësisë duhet të paguajë për trajtime dhe operacione të kushtueshme që vijnë nga komplikimet pasi gratë përdorin gjëra të tilla si peshqir dhe rroba të vjetra gjatë ciklit të tyre menstrual.