Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nepali po përpiqet t’i ndalojë gratë të udhëtojnë jashtë vendit

QIKA 3.3.2021

Javën e kaluar qindra aktivistë për të drejtat e grave dolën në rrugët e Kathmandu për të protestuar kundër ligjit të propozuar që ndalon lirinë e udhëtimit.

Pavarësisht se Nepali ka mijëra turistë përgjatë vitit, ligji i propozuar parasheh se gratë nën moshën 40 vjeçare duhet të kenë leje nga qeveria lokale dhe familjet e tyre për të udhëtuar në vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Sipas Qeverisë së Nepalit, ky ligj do të mbrojë gratë nga trafikimi jashtë vendit. Mirëpo, aktivistët e kundërshtojnë këtë qasje,  duke thënë se qeveria duhet ti mbrojë gratë brenda kufijve shtetëror. Sipas të dhënave përgjatë viteve 2018-2019, kishte rreth 35,000 viktima të trafikimit njerëzor, ku prej tyre 15,000 ishin gra dhe 500 ishin vajza.

Ndonëse kushtetuta e vendit garanton të drejta të barabarta për gratë, një gjë e tillë është duke u mohuar sipas aktivistëve, raporton Euro News.

Aktivistja Reshu Aryal, tregoi se arsyeja e protestës është kundërpërgjigje ndaj indiferencës policore ndaj diskriminimit dhe dhunës seksuale që përjetojnë gratë dhe vajzat. “Gratë gjithnjë e më shumë po diskriminohen dhe vajzat e mitura po dhunohen e vriten, por policia dhe shteti nuk shqetësohen aspak”, tha ajo. Në llogarinë e saj në Twitter, Aryal shkroi se në 2.5 vitet e fundit, gati 7000 gra janë përdhunuar në Nepal.

Qeveria e Nepalit në vitin 2017, ndaloi gratë që të punësoheshin në shtete e jashtme, nën arsyetimin e mbrojtjes së tyre nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe skllavëria moderne. Mirëpo, ky ligj po ekspozonte migrantët e veçanërisht gratë ndaj shfrytëzimit, pasi që qeveria nuk lejonte udhëtimin për në vendet tjera direkt nga Nepali. Kështu, udhëtimet ishin të gjata, duke bërë që migrantët të ishin më të prekur ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit.

Propozimi për ndryshim të Aktit i Punësimit të të Huajve u dërgua për miratim në Departamentin e Imigracionit javën e kaluar. Megjithatë, duke marrë parasysh historinë e Nepalit mbi imponimin e kufizimit të udhëtimeve për gratë punëtore migrante, nuk dihet nëse ky propozim do të miratohet.