Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

New York-u propozon ofrimin e pushimit me pagesë para lindjes

QIKA 12.1.2024

Guvernatorja Kathy Hochul të enjten propozoi një sërë iniciativash për të luftuar fenomenin e vdekjes së nënave e foshnjave në New York, duke përfshirë propozimin që të mundësohet ofrimi i pushimit me pagesë për kujdesin para lindjes.

Ky njoftim erdhi në një periudhë kur qyteti i New York po përpiqet të adresojë normat shqetësuese të urgjencave që lidhen me lindjen e fëmijëve. Rreziqet e tilla janë veçanërisht të mëdha për gratë e zeza, të cilat kanë nëntë herë më shumë gjasa të vdesin nga shtatzënia ose lindja sesa gratë e bardha.

“Nënat dhe foshnjat po vdesin në mbarë vendin, për arsye shpesh të parandalueshme. Kjo mund të quhet vetëm krizë. Si guvernatorja e parë që është edhe nënë, kjo krizë është personale”, tha Hochul.

Për të adresuar problemin, Hochul, një demokrate, po propozon një plan me gjashtë pika, i cili do të përfshijë eliminimin e bashkëpagesave për shërbimet e shtatzënisë, zgjerimin e qasjes në mami në mbarë vendin, trajnimin për doktorët e shëndetit mendor si dhe krevate fëmijësh falas për prindërit me të ardhura të ulëta.

Përfaqësuesit e shumicës Demokratike të Senatit dhe Kuvendit thanë se shëndeti i nënës ishte thellësisht i rëndësishëm për ta dhe se ata do të shqyrtonin propozimet. Dr. Christina Pardo, e cilësoi propozimin e pushimit para lindjes me pagesë si të rëndësishëm, duke shtuar poashtu se mungesa e një pushimi të tillë ka qenë padyshim një pengesë në shëndetin e nënave.

Në anën tjetër ekspertët vërejnë se faktorët që kontribuojnë në vdekshmërinë e nënave janë të thella dhe reflektojnë pabarazi më të gjera racore dhe ekonomike. Në qytetin e New York në vitin 2020, kishte 29 vdekje të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen e fëmijëve, sipas një raporti të fundit nga departamenti i shëndetësisë së qytetit. Nga ato gra, 12 ishin të zeza, nëntë ishin latine, katër ishin aziatike dhe katër ishin të bardha. Kështu grupe të ndryshme po avokojnë që pikat e propozuara të reflektojnë edhe mbi këtë fakt.

Edhe pse për momentin ekzistojnë disa opsione të disponueshme për gratë që kanë nevojë të marrin pushim para lindjes së fëmijëve të tyre, por që mund të përdoren vetëm pas një periudhe pritjeje shtatë-ditore si dhe është e papaguar. Poashtu çdo pushim që gratë marrin para lindjes, zbritet nga periudha e pushimit pas lindjes – kohë që mund të përdoret për shërimin dhe lidhjen me fëmijët e tyre.