Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një e katërta e grave dhe vajzave janë abuzuar nga partnerët e tyre raporton OBSH

QIKA 11.3.2021

Një në katër gra dhe vajza në të gjithë botën janë sulmuar fizikisht ose seksualisht nga burrat apo partnerët e tyre. Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thuhet që dhuna në familje ka filluar herët, ku vajzat e moshës 15-19 vjeçare janë abuzuar të paktën një herë në jetën e tyre, ndërsa shkalla më e lartë e abuzimit arrin në moshën 30-39 vjeçare.

OBSH vlerëson se një e treta e grave të moshës 15 vjeçare e më lart, pra mes 736-852 milion do të përjetojnë një formë të dhunës fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre. Raporti i OBSH-së u përqendrua vetëm në këto forma të dhunës, mirëpo sipas tyre niveli i dhunës është edhe më i lartë kur përfshihen ngacmimi në internet apo ai seksual. Ndërsa sipas Kombeve të Bashkuara, u shtuan të paktën 15 milion raste të dhunës në familje në të gjithë botën si rezultat i pandemisë.

Rastet e dhunës ishin më të larta në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane kanë nivelin më të lartë të dhunës në çift. Ndërsa në vendet si Kiribati, Fixhi, Papua Guinea e Re, Bangladeshi dhe Ishujt Solomon raportohet se gratë janë abuzuar nga partnerët e tyre të paktën një herë. Normë të lartë të abuzimit ka Republika e Kongos (47%), Guinea Ekuatoriale (46%), Uganda (45%) dhe Liberia (43%). Sipas të dhënave të raportit shkalla më e ulët e dhunës në çift ishte në Evropën Jugore e Lindore dhe Azinë Qendrore e Lindore, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 24% e grave dhe vajzave midis 15-49 vjeç kanë qenë preh e abuzimit.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha që dhuna ndaj grave është endemike në çdo vend e kulturë duke u theksuar edhe më shumë gjatë pandemisë. Ndërsa, sipas Dr. Claudia Garcia-Moreno, drejtuese e punës së OBSH-së për dhunën ndaj grave, të dhënat e raportit duhet të shërbejnë si thirrje për qeveritë që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të ndaluar dhunën dhe pabarazitë gjinore.

Sipas analizës së trendeve të financimit të faqes Donor Tracker, vlerësohet se financimi për të adresuar dhunën ndaj grave është rritur dukshëm në pesë vitet e fundit. Ndihma bilaterale për këtë çështje u rrit nga $121 million në vitin 2016 në $449 milion në 2019, me ç’rast shumica e donacioneve erdhën nga programet e Bashkimit Evropian.