Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një studim zbulon abuzimin sistematik në futbollin e grave në SHBA

QIKA 18.10.2022

Sipas një raporti të publikuar mbi një hetim të pavarur që është bërë mbi skandalet në Ligën Kombëtare të Futbollit të Grave (NWSL) në Shtetet e Bashkuara sezonin e kaluar zbuloi se abuzimi emocional dhe seksual ishin sistematike në sport, duke ndikuar në shumë ekipe, trajnere dhe lojtare.

“Abuzimi në NWSL është i rrënjosur në një kulturë më të thellë në futbollin e grave, duke filluar në ligat e të rejave, që normalizon stërvitjen abuzive verbale dhe zbehë kufijtë midis trajnerëve dhe lojtareve,” shkroi ish-prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Sally Yates në raportin e saj mbi hetimin.

US Soccer urdhëroi hetimin nga Yates dhe firma ligjore King & Spaulding pasi ish-lojtaret e NWSL Sinead Farrelly dhe Mana Shim dolën me akuza për ngacmim dhe detyrim seksual që datojnë një dekadë më parë dhe përfshinin ish-trajnerin Paul Riley. Riley, i cili mohoi akuzat, u shkarkua si trajner i North Carolina Courage dhe Komisionerja e NWSL Lisa Baird dha dorëheqje.

Por ishte e qartë se problemet ishin të përhapura. Pesë nga 10 trajnerët kryesorë në NËSL sezonin e kaluar ose u shkarkuan ose u larguan mes akuzave për sjellje të pahijshme.

Raporti bëri rekomandime të shumta për t’i dhënë përparësi shëndetit dhe sigurisë së lojtareve. Mes të tjerash, është edhe kërkesa që skuadrat të zbulojnë me saktësi sjelljen e gabuar të trajnerit në ligë dhe federatën e futbollit për të siguruar që trajnerët të mos lejohen të lëvizin ndërmjet ekipeve. Ai gjithashtu bën thirrje për verifikim të plotë të trajnerëve dhe hetim në kohë për akuzat për abuzim.